Në Shqipëri, zjarret vijojnë të kërcënojnë zona të ndryshme të vendit, me vatra të reja që shfaqen thuajse çdo ditë
Zona e Karaburunit mbetet problematike, me flakët që gjatë ditës iu afruan Parkut të Llogarasë. Forca të shumta të zjarrëfikëseve dhe ushtrisë madje dhe banorë të zonës u bashkuan bashkuar në përpjekjet për të penguar përparimin e zjarrit, për shuarjen e të cilit u angazhuan dhe helikopterë. Njoftimet e Ministrisë së Mbrojtjes, bënë të ditur në mbrëmje se “tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën”.
Një vatër e re u rregjistrua sot pasdite në zonën e Mokres, në verilindje të vendit, duke përfshirë një masiv pyjor. Problematike kanë qenë gjatë ditës dhe disa vatra në zonën e Kukësit, ku në rrezik u vunë dhe disa banesa. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes “forcat janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit, zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve. Në fshatin Trull, ku rrezikoheshin stane situata është nën kontroll”. Forcave vendase pritet që t’u bashkohen në këtë zonë dhe njësi ndihme nga Kosova.
Vatra zjarri kanë krijuar një situatë shqetësuese në disa fshatra të Mirditës. “Në fshatin Thirrë flakët rrezikojnë t’i afrohen lagjes Gështenjë dhe lagjes Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, e cila duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon. Vatra aktive është edhe në fshatin Patalej, në Mirditë , ku zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre”, bëri të ditur ministria.
Disa dhjetra hektarë pyje janë djegur në zonën e Voskopojës në zjarrin e shpërthyer gjatë ditës së djeshme. Situata vlerësohet të jetë drejt përmirësimit në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së prekur nga flakët në zonën e Krushovës në Voskopojë, ndërsa po punohe të për të shuar një vatër aktive në Gjonomadh, ku është prekur një sipërfaqe me ah dhe lajthi. Një tjetër vatër është njoftuar në kodrat në afërsi të fshatit Leshnjë, po në Korçë, ku janë djegur rreth 1 ha shkurre, por flakët mbeten larg banesave.
Vatra zjarri ka patur dhe në pjesë të tjera të vendit. “Tashmë është drejt shuarjes zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër, zjarri në fshatin Bogë në Shkodër, është izoluar vatra në Parkun e Tomorrit në Berat. Ndërsa ka një riaktivizim zjarri në Zogas të Skraparit, ku forcat po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll. U shua totalisht vatra e zjarrit në fshatin Lukan në Dibër. Në fshatin Hajdaraj, në Kavajë u raportua një zjarr në shkurre, i cili nga era mori përmasa të menjëhershme, duke rrezikuar banesat që ndodheshin në fshat. Por u sigurua në kohë evakuimi i banorëve dhe situata është nën kontroll”, njoftoi ministria e Mbrojtjes.
Beteja me zjarret po vijon që prej më shumë se dy javësh, ndërsa policia ka njoftuar ditët e fundit dhe për arrestimin e disa personave në zona të ndryshme të vendit, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.
Facebook Forum