Simone Biles përmendi problemet e shëndetit mendor si arsye për tërheqjen e saj nga gara e ekipit të gjimnastikës dhe ato individuale, duke theksuar një diskutimin që ka qarkulluar në sport që nga viti i kaluar. Biles u bashkohet emrave të tjerë të mirënjohur në hapësirën olimpike, të cilët kanë folur hapur për një temë që ishte tabu për një kohë të gjatë në sport. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka marrë një qasje aktive për të siguruar burime për atletët dhe e e ka zhvendosur tonin nga performanca sportive dhe rezultatet tek shëndeti mendor dhe fuqiziimi i zërave të vetë atletëve.
Për dekada me radhë, atyre u është thënë të lënë mënjanë emocionet dhe të bëhen të fortë - të lënë mënjanë mëdyshjet dhe të përqendrohen tek detyra kryesore: fitorja. Të dominojnë dhe të dalin në krye.
Për vite me radhë, Simone Biles ishte një nga më të mirat në këtë drejtim. Papritmas, ajo tha se nuk ndihej mirë në aspektin mendor.
Duke ulur fanellën e saj të bardha në mes të garës së gjimnastikës të martën në mbrëmje, Biles mund t'i ketë dhënë një dimension të ri diskutimit të shëndetit mendor që po zhvillohet në sport që nga viti i kaluar.
Michael Phelps, fitues i një rekordi prej 23 medaljesh ari dhe tani në pension, ka qenë prej kohësh i hapur për betejën e tij me shëndetin mendor. Phelps ka thënë se ai kishte menduar të kryente vetëvrasje pas Olimpiadës 2012 ndërsa vuante rëndë nga depresioni. Tani, analist për mbulimin e garave të notit me kanalin NBC, ai tha se tek dëgjoi problemet me të cilat po luftonte Biles "iu thye zemra".
"Shëndeti mendor gjatë 18 muajve të fundit është diçka për të cilën njerëzit po flasin", tha Phelps. "Ne jemi qenie njerëzore. Askush nuk është perfekt. Kështu që është OK të mos jesh OK”.
Biles bashkohet me disa atletë të tjerë të profilit të lartë në hapësirën olimpike - shumica më e madhe femra - të cilët kanë folur hapur për një temë që ishte tabu në sport për një kohë të gjatë.
Biles, megjithatë, i çoi gjërat në një nivel të ri - një nivel që tani e bën të pranueshme atë që kishte qenë pothuajse e pamenduar vetëm 24 orë më parë. Ajo u tërhoq, vlerësoi situatën dhe kuptoi se nuk do të ishte e shëndetshme të vazhdonte garën.
Të mërkurën, ajo u tërhoq nga konkurrenca përfundimisht për t'u përqëndruar në mirëqenien e saj mendore.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i vetëdijshëm për betejat me të cilat përballen atletët e rinj, shtoi burimet e tij të shëndetit mendor përpara Lojërave të Tokios. Psikologët dhe psikiatrit janë në terren në fshatin Olimpik dhe krijuan një "Linjë Ndihme të Shëndetit Mendor" si një shërbim konfidencial të ndihmës shëndetësore të disponueshme para, gjatë dhe për tre muaj pas Lojërave.
Linja telefonike 24-orëshe është një shërbim falas që ofron mbështetje klinike, këshillim të strukturuar afatshkurtër, mbështetje praktike në më shumë se 70 gjuhë dhe, nëse është e nevojshme, udhëzime për mekanizmat e duhur të raportimit në Komitetin Olimpik në rast të ngacmimit dhe/ose abuzimit.
Faqja elektronike e ngritur nga IOC Athlete365 anketoi më shumë se 4,000 atletë në fillim të vitit 2020, dhe rezultatet bënë që IOC të zhvendoste fokusin e nga performanca sportive dhe rezultatet tek shëndeti mendor dhe dëgjimi i zërave të atletëve.
Facebook Forum