Të martën, ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara dëgjuan dëshmi emocionuese nga katër pjesëtarë policie ndërsa një komision i veçantë u mblodh për herë të parë për të hetuar ngjarjet e 6 janarit, kur mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump u munduan të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Komisionido të hetojë në një proces që pritet të zgjasë deri në fund të vitit, rolin e ish-Presidentit Trump në trazira.
Gjashtë muaj pas sulmit të mbështetësve të ish Presidentit Trump në Kapitol për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në vitin 2020, disa republikanë minimizuan rrezikun e asaj dite.
Oficerë policie që mbrojtën Kapitolin japin detaje të sulmit…
“Ishte një përpjekje për grusht shteti. Nëse do të ndodhte në një vend tjetër, SHBA do të dërgonte ndihmë“, tha Aquilino Gonell, Rreshter i Policisë së Kapitolit.
Zoti Gonell është një nga katër pjesëtarët e policisë që dëshmuan dhunën brutale të mbështetësve të ish-presidentit.
“Mua më tërhoqën nga radha e oficerëve tek turma. Dëgjova dikë që bërtiste, ‘e kapa një‘. Ndërsa isha rrethuar nga një turmë e dhunshme, ata më shqyen distinktivin, më morën radiomarrësen, më morën municionin, filluan të më rrihnin me grushta dhe sende metalike”, tha Michael Fanone, zyrtar i Departamentit të Policisë Metropolitane në Uashington, DC.
Ndërsa oficerët afrikano-amerikanë ishin ofenduar në baza racore.
Një fillim emocional i ditës së parë të seancës dëgjimore publike nga një panel i veçantë hetues mbi sulmin më të rëndë në Kapitol në dy shekuj.
“Dallimet politike nuk kanë vend në hetim. Detyra jonë e vetme është ndjekja e fakteve”, tha Bennie Thompson, ligjvënës demokrat.
Por republikanët kritikojnë vendimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për mospërfshirjen në hetim të dy të përzgjedhurve të tyre.
“Kryetarja Pelosi përzgjedh vetëm ata që shtrojnë pyetjet që ajo do. Kjo e bën atë një komision të dështuar, një mashtrim që askush nuk mund ta besojë“, tha udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy.
Dy republikanë sfiduan partinë e tyre për të shërbyer në panel, përfshirë Liz Cheney e cila u hoq nga një pozitë udhëheqëse për shkak të kritikave që i bëri zotit Trump. Ajo tha se duhet të hetohet roli i tij në nxitjen e traizrave.
“Ne duhet të dimë se çfarë ndodhi në çdo minutë të asaj dite në Shtëpinë e Bardhë. çdo telefonatë, çdo bisedë, çdo takim që nxiti atë, para dhe pas sulmit”, thotë zonja Cheney.
Paneli që përbëhet nga shtatë demokratë, ka të ngjarë t’i detyrojë të dëshmojnë ish ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, si pjesë e hetimit për trazirat që shkaktuan vdekjen e shtatë njerëzve.
Dëshmitë e reja shqetësuese bënë që republikani tjetër në panel të quajë hetimin një pikë kthese për reputacionin e Shteteve të Bashkuara.
“Demokracitë nuk përcaktohen nga ditët e këqija. Ne gjykohemi nga mënyra se si i lëmë pas ditët e këqija, si e marrim përgjegjësinë“, tha ligjvënësi republikan Adam Kizinger.
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të vazhdojë hetimet deri në fund të vitit.
Facebook Forum