Japonia njoftoi të mërkurën mbi 9,500 infeksione të reja me koronavirus, numri më i lartë ndonjëherë, duke shtruar pikëpyetje të reja nëse Lojrat Olimpike të Tokios po përkeqësojnë situatën pandemike të vendit.
Mbi 3,000 infeksione u raportuan në Tokio, që ka pasur një shifër rekord për dy ditë rresht.
Tokio është tashmë në gjendje të jashtëzakonshme, por disa kritikë e kanë konsideruar këtë lëvizje si joefektive. Shumë nga rregullat nuk janë me detyrim. Për shembull, restoranteve u është kërkuar të mbyllen herët dhe të mos shesin pije alkoolike. Por jo të gjithë e kanë zbatuar këtë udhëzim.
Virusi po përhapet edhe jashtë kryeqytetit. Të tre prefekturat përreth Tokios - Kanagawa, Chiba dhe Saitama - kanë pasur rritje të infeksioneve. Media lokale njofton se zyrtarët po konsiderojnë forcimin e masave pandemike në ato zona.
"Sistemi mjekësor ka filluar të mbingarkohet," tha këshilltari më i lartë i qeverisë japoneze për COVID-19, Shigeru Omi në një seancë dëgjimore parlamentare, sipas agjensisë së lajmeve Kyodo.
Në përgjithësi, qasja e Japonisë ndaj pandemisë ka qenë relativisht e suksesshme. Ajo ka raportuar vetëm 15,000 vdekje nga koronavirusi, shumë më pak se vendet e tjera me popullsi të ngjashme. Edhe pse Japonia raportoi një numër rekord rastesh të mërkurën, ajo njoftoi për vetëm tetë raste vdekjesh.
Deri tani, 169 individë të lidhur me Lojrat Olimpike kanë rezultuar pozitivë për virusin. Organizatorët theksojnë se niveli i përgjithshëm i pozitivitetit është shumë i ulët. Ata gjithashtu thonë se shumica e vizitorëve në Lojrat Olimpike janë vaksinuar.
Japonia është një nga disa vendet aziatike që e frenoi me efektivitet virusin fillimisht, por ka mbetur pas vendeve të tjera të zhvilluara përsa i takon vaksinimeve.
Të paktën 37 përqind e popullsisë së Japonisë ka marrë një dozë vaksine të koronavirusit, sipas shifrave qeveritare.
Facebook Forum