Java e hapur e vaksinimit masiv për të gjithë qytetarët e moshës +18 vjeç nisi të hënën në të gjitha qendrat shëndetësore të Shqipërisë. Në qendren e vaksinimit, në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik në Shkodër ishin të shumtë qytetarët që presnin në radhë për t’u vaksinuar. Kryevaksinatori Arben Xhabija thotë se java e hapur e vaksinimit synon, veç te tjerash, edhe rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës, sidomos të rinjve për t’u vaksinuar.
“Kjo bëhet për të shtuar interesin e përsonave që kanë moshën mbi 18 vjeç, sepse moshat e mesme janë të interesuara, ndërsa moshat e reja kanë një interes më të vogël”.
Sipas kryevaksinatorit Xhabija, procesi i vaksinimit në Shkodër ka ecur me ritme të kënaqshme, por ai shton se është e nevojshme të rritet mbulesa vaksinale për t’a ruajtur popullatën nga infektimi me COVID-19.
“Normalisht, më mirë do të kishte qenë që të vaksinohen të gjithë dhe të kishte një mbulesë të mirë vaksinale. Në kushtet që po flasim, mbulesa vaksinale është e kënaqshme, por presim që të vaksinohen edhe më shumë individë, që të kemi një mbulesë të mirë mbi 70,80 përqind”, thotë ai.
Javën e kaluar, në Shqipëri është regjistruar një rritje e lehtë e numrit të përsonave të infektuar me COVID-19, ç’ka ka shtyrë epidemiologët të vazhdojë testimin dhe hetimin e thelluar epidemiologjik për rastet e zbuluara. Sipas shefes së shërbimit epidemiologjik në Shkodër, doktoreshë Dhurata Hysës, rastet e zbuluara ditët e fundit me COVID-19 janë të importuara nga jashtë vendit.
“Bazuar edhe në një hetim të thelluar epidemiologji nga shërbimi ynë kemi raste sporadike që konfirmohen COVID-19 pozitiv. Këto raste gjurmohen dhe, mund të them, që pothuajse janë raste të importuara nga jashtë”.
Në prag të sezonit turistik veror Shqipëria lehtësoi masat kufizuese për COVID-19 duke synuar të nxisë sektorin e turizmit, i cili thuajse
dështoi vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Megjithatë, shumë prej bizneseve, që veprojnë në bregdet, po kundërshtojnë vazhdimin e disa prej masave kufizuese siç është edhe ndalimi i muzikës pas orës 22.
Deri tani, në Shqipëri janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës 1 milion e 67 mijë përsona, ku 467 mijë prej tyre edhe dozën e dytë.
Facebook Forum