Parlamenti i Kosovës shkarkoi të enjten anëtarët e bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës me propozim të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Kryetarja e këtij komisioni, Doarsa Kica-Xhelili, tha mes tjerash se viteve të fundit ka pasur tendencë për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të punonjësve në transmetuesin publik, i cili financohet nga parlamenti i Kosovës.
Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet thanë se është koha që RTK-ja “t’i shërbejë publikut e jo vetvetes”.
Kundër shkarkimit ishin partitë opozitare.
Anëtarët e derisotëm të bordit drejtues e cilësuan vendimin për shkarkim si “politik, kundërligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”.
Në një reagim të përbashkët ata paralajmëruan verime ligjore për ta kundërshtuar atë, që e cilësuan “vendim arbitrar”.
Bordi drejtues i televizionit publik sipas ligjit ka 11 anëtarë, që zgjidhen nga parlamenti i cili si themelues i tij “mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së, të përcaktuar me këtë ligj”.
Facebook Forum