Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2020 u fajësua të enjten për rritjen e rasteve të koronavirusit pasi tifozët mbushën stadiumet, baret dhe zonat e spektatorëve në të gjithë Evropën për të parë ndeshjet ndërsa pandemia ende është shumë e përhapur.
Ministri i brendshëm i Gjermanisë e quajti UEFA-n, organin drejtues të futbollit evropian "krejtësisht të papërgjegjshme" për lejimin e turmave të mëdha në kampionat.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se përzierja e turmave në qytetet pritëse të Euro 2020, udhëtimet dhe lehtësimi i kufizimeve sociale kanë rritur numrin e rasteve të reja me 10%.
Një rënie 10-javëshe e infeksioneve të reja në të gjithë Evropën mori fund dhe një valë e re është e pashmangshme nëse tifozët e futbollit dhe të tjerët heqin dorë nga masat parandaluese, tha shefja e emergjencës së OBSH-së Catherine Smallwood në Kopenhagë.
"Duhet të shohim përtej vetë stadiumeve," u tha Smallwood gazetarëve. "Ne duhet të shohim se si njerëzit arrijnë atje, a po udhëtojnë me autokolona të mëdha autobusësh? Dhe kur largohen nga stadiumet, a shkojnë në bare dhe pub-e të mbushura me njerëz për të parë ndeshjet?
Këto ngjarje po nxisnin përhapjen e virusit, tha ajo.
Me kufizimet e COVID-19 që ndryshojnë nga një vend në tjetrin, turmat kanë qënë me kapacitet të plotë të tilla si 60,000 në Budapest, deri në 25-45 përqind të kapacitetit në vende të tjera ku shpesh kanë qenë rreth 10-15,000 spektatorë.
UEFA tha se ka vepruar në përputhje të plotë me udhëzimet e autoriteteve lokale të shëndetit në çdo vend.
Facebook Forum