Lidhje

Sfidat ndaj planit të Presidentit Biden mbi infrastrukturën 


Marrëveshja dypartiake e administratës së Presidentit Biden për infrastrukturën që parashikon 1.2 trilionë dollarë shpenzime për rindërtimin e rrugëve, urave dhe projekte të tjera përballet me një javë kritike që mund të përcaktojë nivelin e investimeve në infrastrukturën amerikane.

Sfidat ndaj planit të Presidentit Biden mbi infrastrukturën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Tani vjen faza e vështirë. Marrëveshja e brishtë mes administratës së Presidentit Joe Biden dhe një grupi dypartiak senatorësh për infrastrukturën duhet të fitojë mbështetje edhe më të gjerë nga ligjvënësit e të dyja partive. Ajo që mbetet e pasigurt është nëse në votim do të hidhet një plan dypartiak me një faturë financiare më të kufizuar apo një projektligj më ambicioz dhe më i polarizuar, mbështetur nga demokratët.

Plani dypartiak përfshin 1.2 trilionë dollarë shpenzime për tetë vjet në rindërtimin e rrugëve, urave, hekurudhave, transportit publik dhe aeroporteve si dhe përmirësimin e rrjetit të energjisë dhe zgjerimin e qasjes në internetin me shpejtësi të madhe. Për të ndihmuar në financimin e këtyre projekteve, plani thuhet se mbështetet në ndihmën e papërdorur për pandeminë dhe mjete të tjera.

Të shtunën, Presidenti Biden u tërhoq nga një deklaratë që e lidhte mbështetjen e tij për marrëveshjen me miratimin e një projektligj tjetër shpenzimesh për të ashtuquajturën "infrastrukturë njerëzore", që përfshinë kujdesin për të moshuarit, arsimin dhe kujdesin për fëmijët.

Kjo paketë prej 6 trilionë dollarësh do të përfshinte rritjen e taksave për të pasurit. Disa udhëheqës demokratë kanë thënë se nuk janë të kënaqur me paketën më të vogël dypartiake.

"Unë nuk mund të votoj për një plan më të vogël të infrastrukturës që përjashton kujdesin për fëmijët, energjinë e gjelbër, dhe që nuk rrit taksat për miliarderët. Të gjitha elementet duhet të përfshihen, sepse në fund të fundit kjo është një marrëveshje", tha senatorja demokrate Elizabeth Warren.

Për të kapërcyer taktikën bllokuese përmes fjalimeve pafund në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, projektligji do të duhej të merrte 60 vota. Senatori demokrat Joe Manchin, i cili ishte pjesë e grupit dypartiak, thotë se ka kohë për të punuar në një projektligj më të madh të infrastrukturës.

“Ne kemi dy pista. Dhe kjo është pikërisht ajo që unë besoj se do të ndodhë. Dhe ne kemi punuar në njërën prej tyre. Ne do të punojmë në pistën e dytë. Ka shumë nevoja”, tha ai.

Senatori republikan Rob Portman, i cili gjithashtu ishte i përfshirë në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes, thotë se paketa më e vogël e infrastrukturës është një shans për të bërë diçka.

“Njerëzit duan që ne të bëjmë diçka, posaçërisht në fushën e infrastrukturës. Por në përgjithësi, ata duan që ne punojmë së bashku për të zgjidhur probleme të mëdha", tha senatori republikan.

Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit demokratë shpresojnë që të dyja projektligjet do të miratohen në korrik.

XS
SM
MD
LG