Instituti Demokratik i Kosovës tha në një analizë mbi bisedimet Kosovë-Serbi se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet tyre mbetet e vështirë dhe e largët pasi që të dyja palët kanë qëndrime tërësisht të ndryshme për mënyrën e normalizimit të marrëdhënieve.
Analiza ishte pjesë e konferencës “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”, gjatë së cilës u bë thirrje për bashkërendim të partive politike në Kosovë ndaj këtij procesi.
Por partitë politike kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si të zhvillohen bisedimet ndërsa opozita kritikoi qeverinë për sic tha, qasje joserioze kundrejt tyre.
“Fatkeqësisht në këtë rast nuk kemi edhe kujt me i ndihmu edhe kujt me ju bashku sepse nuk kërkohet një gjë e tillë, nuk ka një agjendë Republika e Kosovës e drejtuar nga qeveria Kurti nuk ka një agjendë e cila do të mund të diskutohej në mes partive në pushtet dhe partive opozitare dhe e shoh një qasje shumë të gabume të pikënisjes të vendosjes të qeverisë tonë”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.
“Ne si LDK e shohim duket se ka një mospërgatitje për këtë temë, duket sikur ka improvizime në hapa, duket sikur ka taktizime në hapa por jo pozicion të qartë të Kosovës për këtë proces”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj.
“Kryeministri Kurti nuk ka strategji, ka taktizim por aspekti strategjikë mungon dhe në aspektin taktit me than të drejtën ka punuar goxha mençur me katër pika, që shkoi edhe ai propozim mirëpo në dialog ndërshtetëror me fasilitues si BE-ja nuk është taktika por përmbajtja dhe strategjia”, tha shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Por shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se propozimet e kryeministrit Albin Kurti të hedhura në bisedimet e fundit që përfshijë mes tjerash edhe një marrëveshje paqeje Kosovë – Serbi, janë një hap përpara krahasuar me qëndrimet e deritanishme. Ajo shprehu dyshime nëse bisedimet aktuale do të mund të cilësoheshin si përfundimtare.
“Do të thotë tash e kemi një rikonfirmim të qëndrimit të Serbisë që duhet edhe ne këtu kur themi se jemi në fazën finale të dialogut, a dëshirojmë finale të dialogut me një president i cili thotë se nuk e njoh pavarësinë e Kosovës ku kryesorja dhe përmbajëtsorja është njohja e ndërsjellë”, tha zonja Kusari Lila.
Kosova dhe Serbia zhvilluan javën e kaluar takimin në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve por pa asnjë rezultat. Të dyja vendet po përballen me trysni nga faktori ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje normalizimi, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimit evropian.
Facebook Forum