Lidhje

Spam, një mish i konservuar që rikthehet në mënyrë krijuese


Para se "spam" të bëhej një term kompjuterik, ai ishte një lloj mishi i konservuar amerikan që eksportohej dhe përqafohej nga kulturat në gjithë botën, veçanërisht aziatikët. Spami shitet në më shumë se 40 vende të botës dhe emigrantët në SHBA po e shërbejnë në restorante, por në një mënyrë krijuese. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelos.

Spam, një mish i konservuar që rikthehet në mënyrë krijuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Pothuajse në çdo raft ushqimesh aziatike, mund të gjesh një konservë Spami. Ky mish i konservuar derri është bërë një nga eksportet kryesore të Amerikës, veçanërisht në Azi, ku mishi i derrit është pjesë e rëndësishme e shumë kuzhinave rajonale.

"Kur isha i vogël, mendoja se Spam ishte një prodhim Korean”, thotë Timothy Hong, një imigrant korean.

Tregu më i madh për Spamin jashtë Shteteve të Bashkuara është Koreja, ku ishte një nga ushqimet kryesore në drekën që Timothy Hong merrte me vete në shkollë. Tani, ai gatuan një recetë koreane me të, në shtëpinë e tij në Los Anxhelos. Ai kujton se si gjyshi i tij sillte Spam në shtëpinë e tij gjatë Luftës Koreane.

"Ai punonte me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, dhe merrte shumë kuti me Spam", thotë Timothy.

Ndikimi global i këtij mishi filloi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur SHBA dërgoi më shumë se 45 milion kilogram Spam jashtë vendit, si ushqim për trupat aleate.

"Ishte i konservuar në kuti dhe kështu shpërndahej në të gjithë botën për forcat tona aleate, ushtarët amerikanë, të cilët më pas e ndanin me komunitetet lokale", thotë Jaynee Dykes e firmës “Hormel Foods” që prodhon Spamin.

Që nga ajo kohë, kulturat në të gjithë botën, veçanërisht ato në Azi, e kanë përqafuar Spamin dhe e kanë përshtatur. Më shumë se 80 vjet më pas, popullariteti i Spamit vazhdon të rritet.

2020-a ishte viti i gjashtë radhazi ku konservat Spam panë shitje rekord në SHBA, dhe emigrantët nga Azia dhe Ishujt e Paqësorit po ndihmojnë në popullaritetin e Spam në tregun amerikan.

Një restorant me kuzhinë nga Havai në Los Angeles bënte dy gatime me Spam, por klientët kërkonin më shumë. Tani, pronari Paul Wahba e gatuan Spamin në 14 mënyra të ndryshme.

"Në fillim thjesht shkonim në një dyqan lokal – blinim pesë kuti në javë. Tani, blejmë aq shumë saqë nuk i nxë makina. Ka raste që konsumoj 100 pako me konserva në muaj ", thotë pronari i restorantit Rutt, Paul Wahba.

Do të thotë 2,400 konserva Spam. Klientët mund të gjejnë edhe burrito dhe takos me Spam.

"Kemi shumë klientë hispanikë që e pëlqejnë", thotë Wahba.

Në lagjen kamboxhiane pranë Los Anxhelosit, Teddy Diep krijoi një sanduiç popullor jo tradicional vietnamez me vezë dhe Spam.

"Askush më parë nuk kishte përzier Spamin me karrota dhe rrepa turshi. Kombinimi i të ëmblës dhe të kripurës, japin një shije të veçantë”, thotë pronari i restorantit Baguette Tea House, Teddy Diep.

Siç ndryshojnë shijet për ushqimet, ka ndryshuar edhe mishi për sanduiçe. Hormel Foods tani ka 11 lloje Spami. Kompania OmniFoods krijoi një mish me bazë bimore të quajtur OmniPork, që shërbehet në restorantin kinez-peruan Chifa të kuzhinierit John Liu në Los Anxhelos.

"Vjen i prerë gati dhe ashtu gatuhet. Duhet të qendrojë në ngrirje. Por shija është shumë e ngjashme", thotë John Liu.

Prindërit e Liusë dhe gruas së tij, nga Tajvani dhe Hong Kongu, u treguan për Spamin.

"Anëtarët e tjerë të familjes janë veganë, kështu që tani ata mund ta shijojnë, ndërsa më parë nuk e hanin", thotë ai.

Spam dhe markat e tjera të mishit të konservuar do të vazhdojnë të evolojnë ndërsa emigrantët nga Azia dhe Ishujt e Paqësorit provojnë mënyra të reja dhe krijuese të gatimit të Spamit duke e rikthyer në menunë amerikane të kombinuar me shijet e ndryshme të kulturave të emigrantëve.

XS
SM
MD
LG