Lidhje

Administrata Biden dhe ligjvënësit përballë kërcënimit të ekstremizimit të brendshëm


Garland
Garland

Këtë javë administrata e Presidentit Biden shpalli një strategjinë e re për të përballuar kërcënimin në rritje, siç theksohet në të, që vjen nga ekstremistët e brendshëm të dhunshëm. Paralajmërimi vjen ndërsa ligjvënësit amerikanë vazhdojnë të hetojnë sulmin e 6 janarit në Kongres nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që kërkonin të ndërprisnin çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, që do të konfirmonin fitoren e demokratit Joe Biden.

Pesë muaj pas sulmit në Kapitol, administrata e Presidentit Biden nxorri një strategji për t'iu kundërvënë kërcënimit nga ekstremizmi i brendshëm.

SHBA, kërcënimi nga ekstremizimi i brendshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

"Sipas këndvështrimit të FBI-së, kërcënimi kryesor vjen nga ekstremistët e dhunshëm të motivuar në baza racore ose etnike, veçanërisht ata që duan të ruajnë epërsinë e racës së bardhë", tha Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garaland.

Ai tha se askush në Shtetet e Bashkuara nuk do të ndiqet penalisht për pikëpamjet e tyre jo të dhunshme politike.

“Nuk ka vend për dhunë si një mjet për të zgjidhur dallimet politike në demokracinë tonë. Çështjet afatgjata që kontribuan në terrorizmin e brendshëm në Amerikë duhet të zgjidhen për t’u siguruar që ky kërcënim do të zvogëlohet për brezat e ardhshëm dhe për të zbutur shkaqet rrënjësore të sulmeve të brendshme terroriste", shtoi ai.

Më shumë se 500 persona janë arrestuar për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit. Demokratët thonë se protestuesit u motivuan nga pretendimet e rreme të ish-Presidentit Trump për mashtrime në zgjedhje.

“Pas dështimit të përpjekjeve të tij për të bërë presion në Departamentin e Drejtësisë, Presidenti Trump u bë edhe më i dëshpëruar. Kështu që, në mëngjesin e 6 janarit, ai dërgoi një turmë të zemëruar dhe të dhunshme në Kapitol. Qëllimi ishte përdorimi i dhunës për të ndërprerëçertifikimin nga Kongresi të fitores së zotit Biden”, tha ligjvënësja demokrate Carolyn Maloney.

Kreu i FBI-së e pranoi para ligjvënësve këtë javë se agjencia e tij nuk kishte arritur ta parashikonte sulmin.

"Qëllimi ynë është të jemi të saktë në parashikimet tona, dhe çdo herë që ka një sulm, veçanërisht një sulm aq të tmerrshëm dhe spektakolar si ai që ndodhi më 6 janar, ne e konsiderojmë atë të papranueshme", tha Drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Një raport i Senatit, i publikuar në fillim të këtij muaji, gjeti dështime të shumta të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë në angazhimin e tyre në kohën para se të ndodhte sulmit.

“Tre njësi të lidhura me inteligjencën brenda policisë së Kapitolit kishin njohuri për postimet në mediat sociale, që bënin thirrje për dhunë në Kapitol, por raporti i plotë i këtyre paralajmërimeve nuk arriti tek udhëheqja e Policisë së Kapitolit, oficerët me gradë të lartë dhe partnerët e tjerë të forcave të zbatimit të ligjit. Kishte gjithashtu raporte kontradiktore mbi kërcënimin”, tha senatorja demokrate Amy Klobuchar.

Ndërsa disa komisione të Senatit vazhdojnë punën për reformimin e Policisë së Kapitolit pas sulmit të 6 janarit, Republikanët në Senat bllokuan përpjekjen e demokratëve muajin e kaluar për të formuar një komision të gjerë për të hetuar ngjarjet e asaj dite.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG