Disa javë pasi Bashkimi Evropian miratoi një deklaratë ku dënonte Bjellorusinë për uljen e detyruar të një aeroplani të kompansë Ryanair dhe arrestimin e gazetarit Roman Protasevich, Serbia, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e mbështeti Brukselin. Megjithatë, kjo nuk u njoftua publikisht nga qeveria dhe shumica dërrmuese e mediave serbe. Njoftimi u botua në faqen e internetit të Këshillit Evropian dhe vetëm disa media raportuan në lidhje me të.
Qeveria serbe nuk iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës se përse ky vendim u mbajt sekret. Respektimi i Kapitullit të 31-të të negociatave me BE-në nënkupton që Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Brukselit. Qeveria serbe gjithashtu qëndroi e heshtur lidhur me vendosjen e sanksioneve të ngjashme me ato të BE-së ndaj Bjellorusisë, për mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët bjellorusë ose ndalimin e linjës ajrore kombëtare serbe Air Serbia që të kryejë fluturime për në Bjellorusi. Belavia, kompania ajrore kombëtare e Bjellorusisë, tha se nuk do të bënte fluturime për në Beograd deri në fund të qershorit për shkak të sanksioneve evropiane.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç tha më parë se vendimi i Serbisë mbi sanksionet do të bazohet në dy kritere, njëri i lidhur me rrugën drejt BE-së dhe tjetri me interesat kombëtare.
Raporti i fundit i BE-së mbi Serbinë ishte negativ, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe harmonizimin e politikës së jashtme me BE-në, thotë Zoran Milivojeviç, një diplomat në pension dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare. Për shkak të mungesës së përparimit, BE-ja ndoshta nuk do të hapë kapituj të rinj në negociatat me Serbinë këtë muaj. Asnjë kapitull nuk është hapur ose mbyllur në 18 muajt e fundit. Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe filloi negociatat në 2010-ën, dhe deri më tani janë hapur 18 nga 35 kapituj .
“Mendoj se Serbia vendosi të rreshtohej me BE-nëpërBjellorusinë këtë herë sepse shpresonte të përmirësonte raportin e saj dhe të rriste shanset për të hapur kapituj të rinj në qershor dhe për të ecur përpara me negociatat. Serbia u përpoq të provonte se po vendoste në të njejtën linjë me BE-në politikën e saj të jashtme, duke e konsideruar veprimin e Bjellorusisë si pirateri të vërtetë ajrore që është e palejueshme", thotë zoti Milivojeviç.
Kjo është hera e dytë që Serbia bashkohet me politikën e BE-së ndaj Bjellorusisë. E para ishte në gusht të vitit 2020, kur Beogradi u pajtua me një rezolutë të BE-së që dënonte zgjedhjet e manipuluara presidenciale dhe goditjen e dhunshme të protestuesve anti-qeveritarë nga Presidenti Aleksandar Lukashenko. Por pasi Serbia mori vendimin e saj për të mbështetur BE-në vitin e kaluar, Kryeministrja Brnabiç tha se ajo shpresonte se "Lukashenko do ta kuptoj se kishte gabuar". Beogradi nuk vendosi sanksione ndaj Minskut atëherë dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Zoran Milivojeviç beson se kjo nuk do të ndodhë edhe këtë radhë.
“Mendoj se sanksionet do të lihen jashtë. Pjesëmarrja e Serbisë në stërvitjen e përbashkët ushtarake Bjellorusi-Rusi-Serbi e quajtur“Vëllazëria Sllave” tregon se Serbia nuk do të shkojë më larg sesa mbështetja e deklaratës së BE-së. Beogradi do të kërkojë mënyra të tjera për t'u bashkuar me rezolutat e BE-së që i konsideron më pak problematike për pozicionin e saj, në mënyrë që me siguri të shmang mbështetjen për rezolutat ose sanksionet kundër Rusisë dhe Kinës."
Pothuajse në të njëjtën kohë që mbështeti rezolutën e BE-së, Serbiamori pjesë në stërvitjen ushtarake "Vëllazëria Sllave" këtë muaj në Rusi. Stërvitja "Vëllazëria Sllave" filloi në vitin 2015, dhe çdo vit një nga tre vendet pjesëmarrëse, Serbia, Rusia ose Bjellorusia, janë organizatore të saj. Vitin e kaluar, kur organizatore ishte Bjellorusia, Serbia nuk mori pjesë në stërvitje dhe Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se vendimi u mor për shkak të "presionit të fortë nga BE-ja". Në shtator të vitit 2020, Serbia pezulloi të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët lindorë dhe ata perëndimorë për gjashtë muaj.
Vendimi i Serbisë për t'u bashkuar këtë vit në stërvitje u kritikua nga Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik.
“Ndërsa diplomacia serbe po kërkon mbështetjen evropiane në prag të vendimeve politike për zgjerimin, lajmet për pjesëmarrje në stërvitjen e përbashkët ushtarake “Vëllazërisë Sllave” nga Serbia së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë nuk janë të dobishme. Perspektiva evropiane ka të bëjë edhe me zgjedhje të qarta të politikës së jashtme, veçanërisht në gjeopolitikën e sotme”, shkroi zoti Bilcik në Twitter.
“Sa i përket politikës së jashtme, është e qartë se Serbia nuk është një partner i besueshëm për ndonjë organizatë ndërkombëtare. Serbia po përpiqet të ekuilibrohet, por kjo nuk ka të bëjë me ekuilibrimin e vërtetë por me taktikat afatshkurtra të politikës së jashtme”, tha për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, Naim Leo Besiri, drejtor i Institutit jo-qeveritar për Çështjet Evropiane. "Në fakt, Brukseli dhe Uashingtoni, ose Minsku dhe Moska, mund ta konsiderojnë Serbinë një ‘kalë Troje’ në të cilin mund të mbështeten për një kohë të shkurtër, por jo në planin afatgjatë", shtoi zoti Besiri.
Serbia dhe Bjellorusia kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim ushtarak në vitin 2017, nga e cila Beogradi përfitoi katër avionë bjellorusë MIG 29 që kishin nevojë për riparim. Këta aeroplanë u shfaqën më 9 qershor të këtij viti në aeroportin ushtarak në Batajnicë, pranë Beogradit. Beogradi dhe Minsku kanë gjithashtu marrëveshje të tjera bashkëpunimi në fushat e tregtisë, shkencës, turizmit, arsimit dhe ekstradimit të shtetasve të dënuar, që u nënshkruan gjatë vizitës së Preisdentit Lukashenko në Beograd në vitin 2019. Ish ambasadori serb në Bjellorusi Sreçko Gjukiç i tha Zërit të Amerikës se bashkëpunimi midis dy vendeve u intensifikua në vitin 2012, kur Partia Përparimtare Serbe e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiç, erdhi në pushtet:
“Kur Partia Përparimtare Serbe (SNS) mori pushtetin, marrëdhëniet me të ashtuquajturën ‘bota ruse’ (sfera e influencës ruse), e cila përfshin Bjellorusinë, filluan të zhvilloheshin, veçanërisht në fushën e sigurisë, atë ushtarake, dhe në nivelin më të lartë politik. Por nëse i hedhim një vështrim tregtisë, e cila është pika kryesore, ajo është më e ulët sot krahasuar me 10 vjet më parë”, tha zoti Gjukiç.
Ekspertët thonë se Moska nuk duhet të përjashtohet nga trajtimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Bjellorusisë.
“Bjellorusia ende ruan politikën e saj të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është shumë e rëndësishme për Serbinë. Një element tjetër i rëndësishëm janë marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka zhvilluar një partneritet strategjik me Serbinë që mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën”, tha eksperti Milivojeviç.
Rrethanat aktuale gjeopolitike mund ta lejojnë Serbinë të vazhdojë qasjen e saj të ekuilibrit mes Lindjes dhe Perëndimit edhe për disa kohë sepse për momentin zgjerimi i BE-së nuk është lart në agjendën e Brukselit, thotë zoti Milivojeviç. Por sapo zgjerimi i BE-së të bëhet më dinamik, dhe nëse dialogu Beograd-Prishtinë sjell disa rezultate, ai beson se Serbia do të kthehet më fuqishëm drejt BE-së.
Facebook Forum