Detaje të reja kanë dalë në skenë në lidhje me rolin që pritet të kenë Shtetet e Bashkuara në Afganistan pas tërheqjes së trupave ushtarake pas gati 20 vitesh luftë në atë vend. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb është gazetarja e vetme që po udhëton me komandantin e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, që mbikëqyr operacionet ushtarake në të gjithë Afganistanin dhe Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të mbështesin forcat Afgane me sulme ajrore kundër talebanëve pasi të ketë përfunduar tërheqja e trupave amerikane. Kështu u shpreh për Zërin e Amerikës Gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, në një intervistë ekskluzive gjatë turneut që po zhvillon në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
“Për sa kohë që kemi trupa në Afganistan, po. Por dihet që forcat tona do të tërhiqen në të ardhmen. Pasi të ndodhë kjo, sulmet që ne do të zhvillojmë në Afganistan do të jenë kundër al-Kaidës dhe ISIS-it.”
Gjeneral McKenzie thotë se sulmet e ardhshme kundër terrorizmit në Afganistan do të kufizohen në raste kur zbulohen plane që synojnë të godasin Amerikën dhe aleatët e saj, si në rastin e 11 shtatorit 2001 kur u vranë mijëra njerëz.
“Kjo do të ishte arsyeja për çdo sulm të mundshëm në Afganistan pasi të largohemi. Në rast se zbulojmë dikë që planifikon të sulmojë Shtetet e Bashkuara, apo aleatët dhe partnerët tanë”, thotë për Zërin e Amerikës Gjenerali McKenzie.
Ekspertët dhe ish-komandantët kanë ngritur shqetësime mbi mungesën e detajeve të ofruara nga Uashingtoni deri më tani në lidhje me sigurinë në Afganistan pas tërheqjes amerikane.
Ndërsa ka mbetur pak kohë deri në përfundimin e tërheqjes, Gjenerali në pension Joseph Votel, ish drejtues i Komandës Qendrore tha për Zërin e Amerikës se transparenca me aleatët afganë është thelbësore.
"Unë mendoj se u detyrohemi atyre që të jemi sa më të qartë që të jetë e mundur. Që planet tona bazohen tek politika jonë, që ata ta kenë të qartë se çfarë do të bëjmë, apo nuk do të bëjmë ne.”
Aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s do të vazhdojnë të financojnë pagat e ushtarëve afganë, të ndihmojnë forcat e tyre ajrore në mirëmbajtjen e avionëve dhe të trajnojnë trupat afgane. Dy të fundit do të bëhen jashtë Afganistanit.
Por këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme, thonë ekspertët ushtarakë të cilët druhen se ushtria afgane do të shpërbëhet pas largimit të trupave amerikane. Bradley Bowman është ekspert i mbrojtjes në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Vetëm sepse largohemi dhe themi se përfundoi, nuk do të thotë që ka përfunduar. Flitet për luftra të përhershme. Talebanët dhe al-Kaida janë të interesuara në xhihad përgjithmonë dhe do të vazhdojnë të luftojnë.”
Pentagoni ka thënë publikisht se një fitore e mundshme e talebanëve nuk është e pashmangshme. Privatisht, zyrtarët e mbrojtjes e pranojnë se janë shumë më të shqetësuar.
Facebook Forum