Presidenti amerikan Joe Biden takohet të martën me aleatët e Bashkimit Evropian pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë me udhëheqësit e NATO-s dhe përpara një takimi të shumëpritur me Presidentin rus Vladimir Putin. Korrespondentja e "Zërit të Amerikës" Patsy Widakuswara njofton nga Brukseli.
Pas takimit të Grupit të Shtatëshes (G-7) në Britani, një tjetër të takim për të forcuar marrëdhëniet transatlantike, ai i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Bruksel. Tridhjetë vendet anëtare ripohuan mbështetjen ndaj aleancës ushtarake që lidh Evropën dhe Amerikën e Veriut.
"Sidomos në një kohë kur regjimet autoritare si Rusia dhe Kina sfidojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Presidenti amerikan Joe Biden po shfrytëzon takimin e së hënës me aleatët e NATO-s si dhe atë me udhëheqësit e BE-së të martën, për të siguruar mbështetje për t'u përballur me Pekinin dhe Moskën, përpara takimit të tij të mërkurën me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Rusia dhe Kina po kërkojnë të prishin solidaritetin tonë transatlantik. Ne po shohim një rritje të sulmeve kibernetike me qëllime keqdashëse. Por aleanca jonë i ka themelet e forta”, tha Presidenti Joe Biden.
Ndërsa aleatët pajtohen se duhet të qëndrojnë të vendosur kundër veprimeve të Moskës, sikurse sulmet kibernetike, ndërhyrjet në zgjedhje dhe ambiciet ekspansioniste të saj, ka më pak konsensus lidhur me qasjen ndaj Kinës.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se marrëdhëniet me Kinën shkojnë përtej qëllimeve të NATO-s, një aleancë ushtarake.
"Ka të bëjë me ekonominë, është çështje strategjike, ka vlerë, lidhet me teknologjinë dhe në asnjë mënyrë nuk ka qëllim shmangien nga NATO-ja, e cila tashmë përballet me shumë sfida", tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
Megjithatë udhëheqësit evropianë përshëndeten njëzëri angazhimin e Presidentit amerikan Joe Biden për multilateralizmin, pas katër vitesh zbatimit të doktrinës "Amerika e para" nën ish-Presidentin Donald Trump. Ky i fundit e ka quajtur NATO-n të vjetëruar dhe është ankuar se Shtetet e Bashkuara po paguanin shumë për aleancën.
"Ne arritëm të hapnim një kapitull të ri me Presidentin e amerikan Joe Biden, i cili e bëri shumë të qartë që nga fillimi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim të qartë ndaj NATO-s", tha Kancelarja gjermane Angela Merkel.
Aleanca miratoi një mekanizëm konsultimi për t'u përballur me konkurrencën globale në rritje dhe kërcënimet më të paparashikueshme, përfshirë pandemitë dhe ndryshimet klimatike, të quajtur "NATO 2030".
“Në tryezë ka ende çështje për debat. Dhe ky takim i nivelit të lartë ishte pika e nisjes së një procesi reflektimi që do t'i çojë në aleatët të bien dakord për rinovimin e konceptit të tyre strategjik, i cili është në thelb udhërrëfyesi drejt asaj që ata duan të bëjnë së bashku", thotë Alice Billon-Galland, e institutit “Chatham House”.
Udhëheqësit diskutuan rreth tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani, planifikuar të ndodhë deri më 11 shtator të këtij viti.
Presidenti Biden u takua gjithashtu me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Marrëdhëniet e ShBA-së me Turqinë janë të tensionuara, veçanërisht pas blerjes nga ana e Ankarasë të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, mbështetjes për Azerbajxhanin në luftën e Nagorno-Karabakut me Armeninë dhe ofensivës ushtarake në Siri në vitin 2020.
Takimi i të martës me udhëheqësit e BE-së, i paraprin takimit në Gjenevë më 16 qershor mes Presidentit Biden dhe atij rus Vladimir Putin.
"Ai është, sikurse thuhej kur luanim me top, një kundërshtar i denjë", tha Presidenti Joe Biden.
Facebook Forum