Lidhje

Shqipëri, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Ylli Ndroqit


Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, bëri të ditur sot se i ka kërkuar Gjykatës konfiskimin e pasurive të sipërmarrësit dhe pronarit të Televizionit Ora Ylli Ndroqi dhe familjarëve të tij

Një vit më parë pasuritë e tij u vunë nën sekuestro, pasi SPAK njoftoi se zoti Ndroqi rezultonte të ishte arrestuar në Turqi nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në vitin 1998. Po sipas SPAK-ut, zoti Ndroqi rezulton po ashtu të jetë arrestar dhe në shkurt të vitit 2015 në Itali si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal.

Në njoftimin e sotëm bëhet e ditur se janë 32 pasuri të ndryshme të cilat kërkohen të konfiskohen, që nga apartamente, troje, njësi shërbimi, automjete dhe aksione në disa shoqëri tregtare.

Prokuroria e posaçme shpjegoi se në përfundim të verifikimeve mbi këto pasuri, duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton një diferencë prej afro 3 milion eurosh të pambuluara nga të ardhurat e deklaruara.

Avokatët e zotit Ndroqi kanë bërë të ditur se SPAK nuk ka respektuar procedurat pasi nuk janë njoftuar më parë për këtë vendim, duke shtuar se diferenca e pretenduar nuk qëndron dhe se për këtë kanë faktet dhe argumentet e plota të cilat do ti paraqesin në gjykatë

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG