Lidhje

Ekspertët: Dezinformimi rus, pengesë për imunizimin kundër koronavirusit 


Shtetet e Bashkuara u zotuan të enjten të dhurojnë 500 milionë doza të tjera të vaksinës kundër koronavirusit, për të ndihmuar 92 vende më në nevojë për fushatën e imunizimeve deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ndërkaq ekspertët thonë se Rusia po punon për të diskredituar vaksinat perëndimore dhe po reklamon intensivisht vaksinën e saj Sputnik V. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anush Avetisyan njofton.

Ekspertët: Dezinformimi rus, pengesë për imunizimin kundër koronavirusit
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Kur administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat miratoi vaksinën Pfizer për të luftuar koronavirusin në dhjetor 2020, Rusia e kishte gati fushatën e saj të dezinformimit duke u përpjekur të bindte publikun se vaksina ishte e rrezikshme.

Grupe mediatike ruse dhe postime në median sociale përhapnin pretendime të pabaza se vaksinimi kishte shkaktuar vdekje dhe se vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna shkaktonin mpiksje gjaku.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se këto pretendime të rreme të përhapura nga Rusia synojnë të minojnë besimin tek vaksinat që prodhon Perëndimi.

Info-demia, siç e kemi cilësuar, është problem po aq i madh sa edhe pandemia. Kjo fushatë përcjell informacion që po përhapet nëpër botë më shpejt sesa vetë virusi,” thotë një zëdhënëse e OBSH-së.

Por Rusia nuk është e vetmja që përhap dezinformim. Shërbimi i Jashtëm Evropian tha në raportin e tij të fundit se media pro-Kremlinit, si edhe Kina po punojnë për të minuar besimin tek vaksinat evropiane e amerikane.

Zyrtarët amerikanë thonë se po bëjnë ç’është e mundur për të luftuar dezinformimin.

Bashkëpunojmë me partnerë të ndryshëm, që nga qeveritë e deri tek shoqëria civile për t’iu përgjigjur kësaj fushate. Sidomos në kushtet e një pandemie globale, ku ka rëndësi të veçantë vaksinimi i popullatës, njerëzit duan të dëgjojnë të vërtetën. Për fat të mirë, po shtohet numri i organizatave të angazhuara për të arritur imunizimin,” thotë Daniel Kimmage, zyrtar në Departamentin e Shtetit.

Kjo fushatë dezinformimi e bën më të vështirë luftën kundër pandemisë.

Mosbesimi që po mbjell Rusia dëmton edhe interesat e saj, thonë ekspertët, duke sjellë si shembull rezistencën që kanë shfaqur vetë rusët ndaj vaksinës Sputnik V.

XS
SM
MD
LG