Lidhje

CDU entuziaste për zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani


Blloku i qendrës së djathtë i Kancelares Angela Merkel po shpreh entuziazëm për zgjedhjet e shtatorit, kur Gjermania të votojë për udhëheqësin e saj të ardhshëm. Konservatorët gjermanë arritën një fitore më të madhe se pritej në votimet e fundit rajonale.

Por fitorja përballë së djathtës eksreme në një shtet lindor me popullsi jo të dendur ishte kryesisht triumf për guvernatorin që gëzon popullaritet në atë shtet.

Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) i zonjës Merkel fitoi të dielën zgjedhjet në Saksoni-Anhalt me 37.1% të votave, përballë së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermanianë (AfD) e cila mori 20.8% të votave. Anketat parazgjedhore patën parashikuar një rezultat më të ngushtë.

Zgjedhjet në 16 landet gjermane shpesh varen nga tema me rëndësi lokale, megjithëse shihen gjithashtu edhe si një barometër i rëndësishëm për prirjen e vendit.

Suksesi në Saksoni-Anhalt, me popullsi 2.2 milionë banorësh, i jep më shumë shpresa udhëheqësit të CDU-së Armin Laschet, kandidat i partisë për të pasuar në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit Kancelaren Angela Merkel e cila ka shërbyer në këtë rol për katër mandate. Në muajin mars konservatorët pësuan dy humbje në zgjedhje.

“Padyshim që kjo i jep shtytje partisë sonë,” tha për gazetarët zoti Laschet pas një takimi me udhëheqësit e CDU-së. “Kjo tregon se nuk janë emocionet dhe anketat që vendosin zgjedhjet, por votuesit”.

Dy partitë e tjera që garojnë për drejtimin e vendi pësuan zhgënjime nga rezultati i votimeve të së dielës.

Social Demokratët e qendrës së majtë morën 8.4% të votave, shifra më e ulët ndonjëherë në Saksoni-Anhalt. Të Gjelbrit morën 5.9% të votave, një rritje minimale e mbështetjes, pavarësisht se në sondazhet kombëtare ajo rezulton të jetë e fortë.

Të dy partitë theksuan rolin e luajtur nga Reiner Haseloff, guvernatori shumë popullor i Saksoni-Anahaltit, i cili duket se ka fituar përkrahjen e atyre që kanë qënë të shqetësuar nga një fitore e mundshme e së djathtës ekstreme.

Haseloff dhe Laschet kanë këmbëngulur se nuk mund të ketë koalicion ose bashkëpunim me partinë e ekstremit të djathtë. Ekstremi i djathtë ka fituar mbështetje vitet e fundit si rezulat i zemërimit lidhur me politikat e imigracionit të Kancelares Merkel dhe muajt e fundit ka mbështetur kundërshtimet e kufizimeve për shkak të pandemisë.

Armin Laschet
Armin Laschet

“CDU është mburojë kundër ekstremizmit. Zgjedhjet tregojnë se linja jonë e qartë kundër AfD nuk është thjesht e drejtë, por njerëzit e mbështesin atë, dhe ne do të ndjekim këtë kurs të qendrës," deklaroi të hënën zoti Laschet.

Komentet e tij pasqyrojnë faktin se ndërsa AfD është e fortë në Gjermaninë lindore ish-komuniste, sfida më e madhe për CDU është përballë të Gjelbërve dhe ruajtja e mbështetjes mes votuesve të qendrës.

Sondazhet e fundit kombëtare kanë treguar se partia ambientaliste gëzon mbështeje pothuajse të njëjta me bllokun konservator ku CDU ka peshën më të madhe.

Disa konservatorë e shohin me optimizëm mbështetjen e vogël që morën të Gjelbrit në zgjedhjet e së dielës në Saksoni-Anhalt.

Markus Soeder
Markus Soeder

“Që nga dje, duket se mbështejta për të Gjelbrit nuk do të vazhdojë të rritet. Tani shihet qartë se ka ndalur ngritja e të Gjelbërve,” tha Markus Soeder, i cili sfidoi në prill zotin Laschet për kandidaturën për kancerlar.

Udhëheqësit e partisë ambjentaliste e pranuan se do të kishin dashur të kishin një rezultat më të mirë në Saksoni-Anhalt, megjithëse tradicionalisht nuk gëzojnë mbështejtje të fortë atje. Baza e partisë është kryesisht në pjesën perëndimore të Gjermanisë dhe zonat urbane.

XS
SM
MD
LG