Sipas Triple A, një grup jofitimprurës që monitoron udhëtimet, vëllimi i udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara në fundjavën e Ditës së të Rënëve, krahasuar me vitin 2020 ka të ngjarë të rritet me të paktën 60%. Ndër udhëtarët më të ngazëllyer këtë vit, janë të rinjtë dhe të moshuarit.
Me avionë, makina, apo anije udhëtimi - mbi 35% të amerikanëve të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, po u kthehen këtë verë udhëtimeve.
Si shumë të tjerë, David Bain dhe familja e tij kaluan 14 muajt e fundit në karantinë në shtëpi. Por pasi mori të dyja dozat e vaksinës COVID, ai po bën shumë plane udhëtimi për verën.
“Ne po shohim mundësinë e udhëtimeve të ndryshme, jo vetëm me makinë. Po mendojmë të të shkojmë në Kosta Rika ose në veri të Barcelonës", thotë David Bain, banor i Virxhinias.
Dhe agjensitë e udhëtimeve thonë se shumë amerikanë po bëjnë plane të ngjashme.
"Kemi një sondazh të fundit që tregon se mbi dy të tretat e amerikanëve po planifikojnë një udhëtim këtë sezon", thotë Elizabeth Monahan, menaxhere e komunikimit në kompaninë Trip Advisor.
Sezoni i pushimeve verore në Amerikë tradicionalisht fillon pas fundjavës së gjatë të Ditës së të Rënëve në fund të majit.
“Dita e të Rënëve është një tregues i mirë për atë që pritet gjatë verës. Dhe me parashikimin tonë do të ketë 37 milionë njerëz që do të udhëtojnë, 60% më shumë se vitin e kaluar dhe vetëm 13% më pak nga 2019-a. Është një provë vërtet e mirë për sa i përket asaj që do të shohim për udhëtimet verore", thotë Jeanette McGee, zëdhënëse e Shoqatës Amerikane të Automobilëve.
Shumica e amerikanëve do të udhëtojnë brenda vendit duke shkuar drejt plazheve dhe parqeve kombëtare.
Makina mbetet mjeti më i preferuar i transportit - mbi gjysma e amerikanëve po planifikojnë një udhëtim të gjatë, thotë Shoqata Amerikane e Automjeteve.
“Kur bëhet fjalë për udhëtimet, njerëzit janë thjesht më të qetë të përdorin automjetet e tyre, veçanërisht vitin e kaluar të pandemisë. Është makina jote dhe mund të vendosësh të shkosh me kë të duash dhe të ndalosh ku të duash”, thotë Jeanette McGee, zëdhënëse e Shoqatës Amerikane të Automjeteve.
Shumë më tepër familje marrin me vete kafshët shtëpiake - shumë prej këtyre kafshëve shtëpiake u adoptuan në fillim të pandemisë vitin e kaluar. Pandemia gjithashtu ka pasur ndikim se me kë udhëtojnë amerikanët.
"Ne po shohim udhëtime shumë gjeneratash ku gjyshërit po udhëtojnë me nipat dhe mbesat. Po shohim familje të tëra të udhëtojnë së bashku sepse ata janë në gjendje që së fundmi të bashkohen dhe të kenë këto ribashkime familjare - por përmes udhëtimeve."
Udhëtarët më të zellshëm këtë verë janë të moshuarit. Ata janë gati të udhëtojnë jashtë vendit, të blejnë bileta avioni ose për udhëtime me anije turistike.
“95% e tyre thanë se do të udhëtonin pasi të vaksinoheshin. Ata nuk bënë asnjë shpenzim përudhëtime për më shumë se një vit. Kështu që tani kanë buxhet për të shpenzuar, dhe janë të etur ta bëjnë një gjë të tillë!, thotë Misty Belles, me kompaninë Global Public Relations Virtuoso.
Shtimi i udhëtimeve po bën që çmimet e biletave të hoteleve dhe linjave ajrore të rritet. Por turistët duken të pa shqetësuar nga këto ndryshime - një vit pa pushime ka bërë që shumë prej tyre të rivlerësojnë rëndësinë e udhëtimeve.
Facebook Forum