Një grup organizatash aktiviste thotë se të paktën nëntë drejtues ekzekutivë dhe investitorë në kompanitë që prodhojnë vaksina të koronavirusit janë bërë miliarderë vitin e fundit, falë patentave të vaksinave të tyre.
Aleanca e Vaksinave të Popullit, një grupim i disa organizatave jo-fitimprurëse, joqeveritare përfshirë Global Justice Now, Oxfam dhe UNAIDS, po bën thirrje që firmat farmaceutike të ndajnë teknologjinë e tyre në mënyrë që prodhimi global i vaksinave të rritet shpejt, ndërsa infeksionet vazhdojnë të shtohen në shumë vende të varfëra.
"Korporatat farmaceutike që zotërojnë patentat e disa prej vaksinave më të famshme kundër COVID-19, si kompania Pfizer ... dhe Moderna, po bëjnë fitime të mëdha nga monopoli që kanë mbi këto vaksina", i tha Zërit të Amerikës Max Lawson, kreu i departamentit për pabarazisë në organizatën Oxfam International. "Si rezultat, investitorët dhe drejtuesit e tyre ekzekutivë po bëhen miliarderë si asnjëherë më parë."
Sipas analizës së saj për listën vjetore të personave më të pasur botuar nga revista Forbes në prill, Aleanca e Vaksinave të Popullit pretendon se në miliarderët e rinj të vaksinave përfshihen shefat ekzekutivë të firmës farmaceutike Moderna në SHBA dhe firmës gjermane BioNTech, e cila ndihmoi në zhvillimin e teknologjisë që u përdor për prodhimin e vaksinës Pfizer. Ata thonë se katër drejtues të tjerë ose investitorë të përfshirë në kompaninë Moderna dhe tre drejtues nga firma kineze CanSino Biologics, gjithashtu janë bërë miliarderë.
Zoti Lawson i organizatës Oxfam i tha Zërit të Amerikës se rrezikun financiar të zhvillimit të vaksinave e morën në kurriz në terma praktikë taksapaguesit. "Këto vaksina kundër COVID-19 u financuan nga fonde publike, nga taksapaguesit si ti dhe unë. Pra, vaksinat nuk janë pronë e këtyre kompanive dhe ato nuk duhet të përdoren për të grumbulluar këto fitime të mëdha".
Ai shtoi se patentat mbi vaksinat u japin firmave farmaceutike autoritetin për të diktuar çmimin dhe shpërndarjen e ilaçeve.
“Për shkak të këtyre monopoleve, ne po përballemi me një mungesë artificiale ”, tha zoti Lawson. "Dhe ka hapësirë të mjaftueshme që këto kompani të bëjnë një kthesë të menjëhershme jo për të krijuar fitime të turpshme dhe miliarderë - por të ndajnë teknologjinë e tyre, të ndajnë pronën e tyre intelektuale dhe të lejojnë që çdo prodhues kompetent i vaksinave në botë të prodhojë vaksinat për të cilat ne kemi nevojë”.
Në një deklaratë, kompania BioNTech tha se ajo tashmë kishte rritur kapacitetin e saj të prodhimit deri në 3 miliardë doza në vitin 2021 dhe po punon me 15 partnerë përfshirë firmat Merck, Novartis Sanofi dhe Baxter sipas marrëveshjeve të liçensimit dhe prodhimit për të krijuar më tej një rrjet global të prodhimit të vaksinave. Firma shtoi se patentat nuk janë faktori kufizues për prodhimin e vaksinës, i cili është "një proces kompleks i zhvilluar për më shumë se një dekadë".
“Të gjithë hapat duhet të përcaktohen saktësisht dhe të ekzekutohen me rigorozitet. Duhet personel me përvojë. Duhen lëndë të para që duhet të kanalizohet dhe të kualifikohet për përdorim. Duhen procese të konsoliduara për përgatitjen e vaksinës të cilat duhet të ndiqen me përpikmëri, “thuhet në deklaratën e BioNTech. "Nëse ndonjë nga këto hapa nuk respektohet, cilësia, siguria dhe efikasiteti i vaksinës nuk është e garantuar nga prodhuesi dhe as nga krijuesi vaksinës".
Facebook Forum