Dhjetëra mijëra fëmijë të mitur nga vende të Amerikës Qendrore, të pashoqëruar nga prindër, po mbahen në kufirin e Amerikës me Meksikën në pritje të shqyrtimit të rasteve të tyre nga autoritetet amerikane të imigracionit. Gazetarja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza u takua me disa prej tyre dhe përgatiti këtë kronikë.
Pas një udhëtimi prej tre mijë kilometrash që filloi në Ekuador, Jose Luis Boyeduana arriti në Shtetet e Bashkuara.
“Hyra më 26 janar, afër vend-kalimit kufitar në Miguel Aleman. Kalova lumin”, thotë ai.
Prindërit e tij erdhën në Shtetet e Bashkuara nga Ekuadori 13 vjet më parë. Në mars, autoritetet amerikane e ribashkuan atë me nënën dhe babanë e tij pasi verifikuan që ata ishin kujdestarët e tij ligjorë.
"Jam i lumtur që jam me djalin tim", thotë Carlos Lozada.
José Luis jetonte me gjyshërit e tij në Ekuador që kur ishte 3 vjeç. Kjo histori pasqyron politikën e administratës së Presidentit Biden për të shmangur ndarjet e familjeve që ndodhën gjatë administratës së ish-presidentit Trump.
Por Shtëpia e Bardhë e ka bërë gjithashtu të qartë se kërkesa për azil nuk garanton hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
“Dua të theksoj se shumë njerëzve nuk do t’u miratohet kërkesa për azil në Shtetet e Bashkuara dhe është e mundur që ata të kthehen në vendin e tyre të origjinës në fund të këtij procesi. Pra, duhet të prisni sepse në të ardhmen ndoshta do të ketë më shumë mundësi, mënyra më të sigurta dhe me kosto më të vogël, për të arritur në Shtetet e Bashkuara", tha koordinatorja amerikane për kufirin jugor, Roberta Jacobson.
Por shumë familje po shpërfillin këtë mesazh. Eda Cristelia Melendez, e cila është në të 70-at, jeton me mbesën e saj të vogël në një strehimore në Meksikë, në anën tjetër të kufirit me qytetin El Pasos të Teksasit.
Ajo thotë se autoritetet amerikane i kthyen përsëri në Meksikë pasi u përpoqën të kalonin kufirin. Gjyshja thotë se ajo e bëri udhëtimin pasi refuzoi një kërkesë nga nëna e vajzës, e cila jeton në Çikago, për ta lënë fëmijën ta kalojë kufirin e vetme.
“Menduam që vajza ta kalonte kufirin vetëm. Ajo më tha se ndoshta do ta bënte dhe do shkonte mirë”, thotë Eda Cristelia Melendez.
Kjo është një nga historitë e shumta dhe në rritje të rasteve të migrantëve në kufi, ndërsa Administrata e Presidentit Biden përpiqet të garantojë sigurinë e atyre që po vijnë.
"Ne po punojmë me partnerë në të gjithë rajonin, për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme të fëmijëve të pashoqëruar nga rajoni", thotë zyrtarja e Departamentit të Shtetit, Emily Mendrala.
Ndërkohë, ligjvënësit republikanë fajësojnë administratën e Presidentit Biden për rritjen e numrit të fëmijëve të pashoqëruar që arrijnë në kufi.
"Është politikë e kufijve të hapur, kufiri është i hapur”, thotë Raymund Baca, përfaqësues i partisë republikane në distriktin e El Pasos.
Por, ndërsa administrata e Presidentit Biden po punon për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për krizën, José Luis Boyeduana më në fund ka arritur qëllimin e tij.
"Lumturia mund të gjendet vetëm me prindërit tuaj", thotë ai.
Facebook Forum