Lidhje

Administrata Biden dhe qëndrimi i ashpër ndaj Kinës


Në 100 ditët e para në detyrë, Presidenti Joe Biden ka mbajtur në fuqi shumë aspekte të politikave të ashpra të pararendësit të tij, Donald Trump ndaj Kinës. Disa aleatë të Amerikës në Azi ende janë në mëdyshje nëse do të bashkohen me Uashingtonin në këtë qëndrim të fortë ndaj Pekinit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton nga Seuli:

Në fjalimin e tij të parë para Kongresit, Presidenti Biden nuk përmendi asnjë vend tjetër aq herë sa Kinën. Presidenti u shpreh haptazi se SHBA janë në konkurrencë me Kinën për të triumfuar në shekullin XXI, duke i përcjellë një paralajmërim Presidetit Xi.

I thashë se e mirëpresim konkurrencën dhe se nuk duam konfrontime. Por ia bëra të qartë se do të mbroj interesat amerikane në çdo aspekt,” tha presidenti.

Nën administratën Biden, zyrtarët amerikanë janë ballafquar me Kinën lidhur me aktet frikësuese të Pekinit ndaj fqinjëve, praktikat e parregullta tregtare dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Këto qëndrime në shumë aspekte përfaqësojnë vazhdimësi të politikave të Presidentit Trump, që sollën keqësimin më të rëndë të marrëdhënieve Uashington-Pekin në një dekadë.

Një ndryshim i madh është fakti që Presidenti Biden është përpjekur të sigurojë mbështetjen e aleatëve në këto politika. Ai zhvilloi kohët e fundit takim me udhëheqësit e një aleance ende të pazyrtarizuar në kundërpërgjigjen ndaj Kinës. Por edhe brenda këtij grupi ka vende që nuk janë të gatshme të ballafaqohen drejtpërdrejt me Pekinin dhe kanë pikëpyetje për trazirat në Uashington, thotë analisti Robert Kelly.

Mendoj se shumë prej tyre po ndjekin një qëndrim të matur për të parë nëse zgjedhja e Donald Trumpit ishte një tendencë drejt populizmit në jetën amerikane apo një incident i vetmuar. Donald Trumpi i humbi zgjedhjet,” thotë analisti.

Në fjalimin e tij të mërkurën, presidenti tha se Amerika është kthyer në lojë dhe nuk do të dalë më. Megjithë komentet optimiste të Presidentit Biden, disa aleatë nuk janë të bindur se SHBA vërtetë e kanë kapërcyer fazën e veprimit bazuar në “interesat e Amerikës në plan të parë,” thotë analisti koreano-jugor, Park Won-gon.

Koreja e Jugut dhe aleatë të tjerë amerikanë, sidomos demokraci të tjera liberale, duhet të përgatiten për ndryshime në rendin botëror. Po jetojmë në një periudhë të rënies së fuqisë së Amerikës. Si do të ndreqet rendi botëror? Po ashtu, duhet të planifikojmë për një rend botëror pa Amerikën në rol dominues. Kjo është pyetje e rëndësishme për aleatët e Amerikës,” thotë analisti.

Kjo është një çështje në krye të axhendës së administratës amerikane kundrejt Azisë përkrah përpjekjeve për të bindur botën se Amerika është kthyer në politikën e saj tradicionale.

XS
SM
MD
LG