Presidenti amerikan Joe Biden po propozon zgjerim të konsiderueshëm të ndihmës federale për fëmijët dhe familjet amerikane në fjalimin e tij të mërkurën, kur i drejtohet për herë të parë një sesioni të përbashkët të Kongresit.
Presidenti Biden do të paraqesë detajet e propozimit të tij prej 1.8 trilionë dollarësh në një fjalim të transmetuar nga televizioni në shkallë kombëtare, para 200 ligjvënësve të ulur duke respektuar distancimin fizik, me maska dhe para zyrtarëve kryesorë amerikanë të mbledhur në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Normalisht, për një fjalim të tillë do të kishte në sallë 1,600 të pranishëm, por numri po kufizohet ndjeshëm këtë radhë si rezultat i koronavirusit.
Plani përfshin dy vjet çerdhe për fëmijët të paguar nga shteti dhe dy vjet arsim falas në institucione dy vjeçare të arsimit të lartë. Kjo do të mbulohet, sipas planit të presidentit, duke rritur taksat për më të pasurit.
Përveç kësaj, propozimi i Presidentit Biden parashikon akordimin e 225 miliardë dollarëve për të mbështetur familjet amerikane të përballojnë koston e kujdesit për fëmijët dhe pagesa mujore prej të paktën 250 dollarësh për prindërit.
Para fjalimit, Shtëpia e Bardhë i cilësoi planet e presidentit për shpenzimet për familjet dhe arsimin e të rinjve, si dhe propozimin e mëparshëm për projekte në infrastrukturë me vlerë 2.3 trilionë dollar si "investime që ndodhin një herë në një gjeneratë për vendin tonë”.
Këto propozime, nëse miratohen nga Kongresi, do të rezultojnë në një rol dhe angazhim shumë më të madh të qeverisë federale në jetën e amerikanëve. Pjesa më e madhe e republikanëve nuk janë dakord me këtë zgjerim të rolit të qeverisë, megjithëse këto plane nuk janë aq radikale sa ç’kanë kërkuar elementët më progresistë të Partisë Demokrate.
Facebook Forum