Më shumë se 30 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara, rreth 78.5 milionë njerëz, janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, sipas të dhënave të reja të lëshuara nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
CDC tha se 48 përqind e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, dhe 80 përqind e të moshuarve, të cilët janë në grupin më të rrezikuar ndaj efekteve të dëmshme të virusit. Gjashtëdhjetë e katër përqind e të moshuarve janë plotësisht të vaksinuar.
CDC raportoi gjithashtu rreth 5,800 raste të njerëzve të vaksinuar, të cilët janë infektuar me Covid-19.
"Të gjitha vaksinat në dispozicion kanë dhënë prova se janë të efektshme në parandalimin e sëmurjeve të rënda, shtrimeve në spital dhe vdekjeve", tha agjencia në një deklaratë. "Megjithatë, me realizimin e më shumë vaksinimeve, ne presim që të ketë mijëra raste të tjera të infektimit të personave të imunizuar, edhe pse vaksina po funksionon ashtu siç pritej."
Të dhënat e CDC publikohen në një kohë kur është pezulluar përkohësisht përdorimi i vaksinës Johnson & Johnson për shkak të njoftimeve për raste të rralla të mpiksjeve të gjakut.
Facebook Forum