Lidhje

Portrete për të nderuar punonjësit shëndetësorë në ShBA


Pas fillimit të pandemisë, punonjësit shëndetësorë që luftuan me COVID-19 u bënë heronj të kohëve moderne. Zëri i Amerikës bisedoi me një artist nga qyteti i Nju Jorkut i cili krijoi një seri portretesh për të nderuar ata.

Dr. Anthony Fauci nuk është shpallur si personaliteti i vitit 2020 nga revista Time.

Por kjo është mënyra se si artisti Tim Okamura e portetizoi atë në vitin që goditi pandemia e koronavirusit.

“Në disa momente shihej se ai ishte i dëshpëruar, ndërsa zoti Trump fliste në sfond… Ishte qesharake të shihje shprehjet e fytyrës së Dr. Faucit. Po përpiqesha të kapja ndjenjën e qëndresës, intelektit dhe mendimit, prania e tij në mes personaliteteve të shquara amerikane, të qenit në ballë të kësaj pandemie”, shpjegon ai.

Artisti është përqëndruar edhe tek infermierët.

“Jetoj përballë qendrës mjekësore Wykoff Heights, e cila është e mbushur me pacientë me COVID. Në fakt, njëri nga pacientët e parë me COVID ishte trajtuar aty, i cili për fat të keq ndërroi jetë. Po shihja punonjës të qëndrës që dilnin nga spitali, të ngarkuar nga ajo që po kalonin”, thotë zoti ai.

Zoti Okamura e përshtati krijimtarinë e tij me realitetin e ri duke mësuar të pikturonte maska dhe doreza. Ai i kushtoi vëmendje etiketave tme emrat e mjekëve dhe infermierëve pasi fytyrat i kishin të mbuluara me pajisje mbrojtëse.

“Ne si njerëz duam të krijojmë lidhje me dikë, por ndihemi sikur ka një lloj pengese mes nesh dhe personit tjetër. Sytë shkojnë aty ku mund të gjesh ndërveprimin”, thotë zoti Okamura.

Jenny Vee mund të dallohet vetëm nga sytë. Kur është në punë ajo është e maskuar. Pas 12 orëve punë në një qendër vaksinimi, ajo thotë se vaksinat ofrojnë shpresë.

“Është ndjenjë e shkëlqyer, pasi sheh shenjat e fundit të një pandemie. Është mirë të shohësh që njerëzit vijnë të lumtur, siç jemi edhe ne që u bëjmë vaksinën”, thotë infermierja Jenny Vee.

Spitali “NYU Langone Health” uli flamujt në gjysmë shtizë për të nderuar viktimat e COVID-19. Gjatë majit kur invermierja Vee punonte me orar të zgjatur për të luftuar COVID-in, ajo hasi në vështirësi për t’u qetësuar pas kthimit nga puna në shtëpi.

“Në shkollën e mjekësisë nuk na kanë mësuar se si të përballojmë një pandemi, prandaj kur ajo goditi ishim të frikësuar edhe për vete. Të gjithë kemi familje, fëmijë të vegjël, prindër të moshuar. Prandaj përpiqeshim të mbijetoninm nga dita në ditë”, thotë zonja Vee.

Infermierja thotë se vaksinat kundër COVID janë drita në fund të tunelit, por shton se tuneli është shumë i gjatë. Përveçse në Instagram, ajo ende nuk e ka parë porterin e saj nga artisti Okamura.

Kur takimet të jenë të sigurta, zoti Okamura do ta dhurojë këtë dhe portretet tjera, si një mënyrë për të falenderuuar dhe kujtuar ata që luftuan me pandeminë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG