Lidhje

Ekspertët thonë se ish polici Chauvin përdori forcë të tepruar


Gjatë javës së dytë të gjyqit kundër Derek Chauvin, ish policit të akuzuar për vrasjen e George Floydit, disa ekspertë të thirrur si dëshmitarë thanë këtë javë se ish oficeri i bardhë i policisë përdori forcë të tepruar gjatë ndalimit të afrikano-amerikanit.

Ekspertët thonë se ish polici Chauvin përdori forcë të tepruar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Një specialist i mushkërive dhe kujdesit intensiv u pyet rreth shkakut të vdekjes së George Floydit ndërsa policia mundohej ta arrestonte.

Ai dyshohej se provoi të përdorte 20 dollarë të falsifikuara.

“Zoti Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit. Kjo dëmtoi trurin e tij”, tha Martin Tobin, specialist i mushkërive dhe kujdesit intensiv.

Ndalja e frymës, tha ai, pushoi zemrën e zotit Floyd.

I pyetur nga avokati i zotit Chauvin, një patologe mjeko-ligjore tha se drogat në trupin e zotit Floyd ndikuan në vdekjen e tij, por nuk ishin ato që e vranë.

“Unë besoj se shkaktari kryesor i vdekjes është asfiksia ose mungesa e oksigjenit”, tha ajo.

Por, ekspertët shëndetësorë nuk përjashtojnë ndikimin e hipertensionit dhe problemeve në zemër në vdekjen e zotit Floyd.

“Pra zemra e tij veç kishte nevojë për më shumë oksigjen sesa një zemër normale, por aftësitë e saj ishin të kufizuara për shkak të ngushtimit të arterieve koronare të saj”, vazhdoi zoti Andrew Baker, ekzaminues mjekësor në qarkun Henepin.

Shefi i policisë në Mineapolis u pyet për nivelin e forcës së përdorur nga zoti Chauvin ndërsa zoti Floyd ndodhej në tokë pa vetëdije.

“Vazhdimi i përdorimit të asaj force ndaj një personi të prangosur dhe të shtrirë në tokë, në asnjë mënyrë nuk është pjesë e politikave tona. Nuk është pjesë e trajnimeve tona. Dhe sigurisht nuk është pjesë e etikës dhe vlerave tona”, tha zoti Arradondo.

Një tjetër ekspert dëshmitar tha se kontrolli i një personi duke i mbajtur gjurin në qafë nuk është mësuar në trajnimet e policisë. Mund të lejohet në disa raste por vetëm deri në një pikë, tha një trajnues policie në pyetjen e prokurorit.

“Të themi për shembull, se subjekti është nën kontroll dhe i prangosur, a do të miratohej kjo?”, tha prokurori.

“Do të thoja jo”, u përgjigj trajnuesi i policisë në Mineapolis, Lejtnant Johnny Mercil.

Avokati i zotit Chauvin dha një perspektivë tjetër, duke thënë se ishte e vështirë mbajtja nën kontroll e zotit Floyd kur policia po përballej me kalimtarë armiqësorë, ndërsa kërkohej reagimi përfundimtar i ish policit Chauvin.

Vdekja e afrikano-amerikanit më 25 maj shkaktoi zemërim në Mineapolis dhe protesta në mbarë botën. Dëshmitë vazhdojnë javës së ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG