Franca po ndërmerr bllokime të reja në shkallë vendi për të frenuar koronavirusin. Dhoma e ulët e parlamentit miratoi masat e njoftuara dje nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron, por votimi u shoqërua nga një bojkotim masiv dhe kritika të ashpra nga partitë e opozitës, pasi Kryeministri Jean Castex iu drejtua parlamentit.
Francezët u zgjuan të enjten mes njoftimeve për një sërë masash të reja kufizuese në shkallë vendi që hyjnë në fuqi në fundjavë, përballë një vale të tretë infeksionesh me COVID-19.
Zoti Macron dha urdhër të mërkurën për një bllokim të tretë në shkallë kombëtare dhe tha se shkollat do të mbyllen për tre javë, mes rritjes së infeksioneve që kërcënojnë të mbingarkonë spitalet. Parizienët kishin mendime të ndryshme.
"Nuk kam besim tek masat e reja. Mendoj se njerëzit nuk janë të arsyeshëm, u ka ardhur në majë të hundës, por francezët nuk janë shumë të disiplinuar", thotë Deborah Leroux, një banore e Parisit.
"Duhet të kemi besim tek masat e reja, nuk duhet të shohim pas dhe të ankohemi. Mendoj se autoritetet kanë bërë gjithçka që munden për të shmangur një bllokim të rreptë dhe kemi ardhur në një moment ku të gjithë duhet bashkojmë forcat. Duhet të funksionojë dhe kam besim se do të funksionojë", thotë Nadinë.
Në parlament, ligjvënësi i të majtës së skajshme Jean-Luc Melenchon kritikoi atë që ai tha se ishte vendimi i njëanshëm i zotit Macron për të zbatuar bllokimin që fillon këtë fundjavë, dhe kufizimet e tjera.
Zoti Melenchon, një kandidat presidencial i vitit 2022, e quajti zotin Macron "president-monark" dhe iu drejtua kryeministrit Castex.
“Presidenti vendosi gjithçka vetë, njoftoi gjithçka mbrëmë në televizion, dhe ju keni ardhur këtu thjesht t’i përsëritni ato"”, tha ai.
Infeksionet e reja të përditshme COVID-19 në Francë janë dyfishuar që nga shkurti në mesatarisht 40,000. Numri i pacientëve me COVID-19 në kujdes intensiv e kaloi shifrën 5,000 këtë javë, një numër më i lartë sesa kulmi i pandemisë gjatë bllokimit të dytë gjashtë-javor të zbatuar në fund të vitit të kaluar.
Autoritetet shëndetësore kanë fajësuar për rritjen e rasteve, përhapjen e varianteve të reja, të cilat janë më ngjitëse.
"Përballë një rreziku më të madh, masat e marra sot janë më të lehta se ato të ndërmarra deri më tani në lidhje me variantin origjinal të virusit. Ku është logjika për sa i përket aspektit shëndetësor tek këto vendime aktuale?", i tha parlamentit deputeti i së djathtës së qendrës, Pascal Brindeau.
Christophe Castaner, udhëheqësi i grupit parlamentar të partisë së shumicës së presidentit Macron, La Republique en Marche (LaREM), mbrojti vendimet e qeverisë.
"Që nga fillimi i vitit, ne kemi bërë një zgjedhje të vendosur për të ngadalësuar (virusin) pa bllokuar njerëzit," tha ai.
"Kjo strategji na ka lejuar të ngadalësojmë përhapjen e virusit, por duhet të jetë e qartë se kjo nuk u bë duke bërë lojra me jetën e francezëve. Ne nuk luajmë me të ardhmen e vendit. Ne marrim masa dhe u qëndrojmë vendimeve tona, "shtoi ai.
Masat u miratuan lehtësisht me 348 vota pro dhe 9 kundër, por 220 anëtarë të opozitës abstenuan.
Facebook Forum