Në Kosovë, të martën filloi vaksinimi në shkallë të gjerë kundër COVID-19 pas marrjes së dozave të para vaksinës AstraZemeca nga programi Covax. Sipas planit të hartuar nga qeveria, të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë dhe pastaj personat mbi moshën 80 vjeçare si dhe ata me sëmundje kronike më të rënda.
Autoritetet thanë se gjatë së martës pritet të vaksinohen afër një mijë persona. Kosova mori të dielën 24 mijë dozat e para të vaksinave në kuadër të programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga 100 mijë doza që i janë premtuar Kosovës. Zyrtarët e Unicef-it në Kosovë thanë se pjesa tjetër prej mbi 76 mijë dozave pritet të mbërrijnë deri në muajin maj.
“Ne jemi duke punuar ngushtë për të çuar përpara këtë proces dhe për të marrë 100 mijë dozat e premtuara”, tha shefi i Unicef-it në Kosovë, Murat Shahin.
Vaksinimi që po bëhet aktualisht vetëm në Prishtinë, gjatë ditëve të ardhshme pritet të fillojë edhe në qendrat tjera të Kosovës. Kosova shënoi edhe sot një ditë me numër të lartë të personave që humbën jetën nga Covid-19 dhe të atyre që janë prekur nga kjo sëmundje.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se 14 veta kanë humbur jetën gjatë 24 orëve ndërsa janë konfirmuar 752 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi.
Rastet e fundit e çuan në afër 90 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve dhe ne 1 mijë e 858 numrin e atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se spitalet po përballen me një situatë të rëndë për shkak rritjes së numrit të të infektuarve.
“Ju e dini që tashmë jemi në një situatë mjaft të rëndë sa i përket situatës epidemiologjike, sot kemi mbi 900 pacientë që janë të shtrirë në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme prej tyre 37 shtatë janë në gjendje kritike duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv dhe kemi rreth 700 pacientë që janë duke marr oksigjeno-terapi të vazhdueshme”, tha ai.
Kosova është vendi i fundit në rajon që filloi vaksinimin e qytetarëve. Deri tani ajo nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave, ndërsa autoritetet kanë hedhur poshtë çdo mundësi që të marrin vaksinat nga Rusia dhe Kina.
Facebook Forum