Në mbarë Shtetet e Bashkuara po hapen qendra të vaksinimit masiv ndërsa janë rritur kapacitetet e shpërndajes së më shumë dozave. Kolegjet dhe universitetet janë kthyer në qendra vaksinimi duke iu shërbyer mijëra pacientëve që marrin vaksinat çdo ditë.
Amerikanët kanë qënë në pritje të radhës së tyre për t’u vaksinuar. Ndërsa është shtuar ritmi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, kolegjet dhe universitetet janë kthyer në qendra masive vaksinimi. Mes tyre është edhe Universiteti Shenandoah, në shtetin Virxhinia.
Që nga mesi i janarit, aty janë vaksinuar 50 mijë njerëz, thotë presidentja e universitetit Tracy Fitzsimmons.
“Kemi hapësirë dhe ekspertizë. Kemi departamentin e farmacisë, infermierisë, shkollën e profesioneve shëndetësore. Të gjithë janë të kualifikuar për të vaksinuar. Fakulteti i biznesit di si të drejtojë një ndërmarrje të madhe, kështu që ata na ndihmuan.”
Deri në 23 mars vetëm 25% e popullsisë kishte marrë një vaksinë. Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve parashikojnë se deri në gusht do të vaksinohet 90% e popullsisë.
Kjo qendër vaksinimi ka 750 vullnetarë, përfshi studentë si Kimberly Siguenza, e cila studion biologji, shëndetin publik dhe spanjisht si dhe përkthen për pacientët.
“Kemi një qendër të sigurtë vaksinimi që mes të tjerash mënjanon edhe pengesat gjuhësore.”
Në muajin maj Kawther Al Ali do të diplomohet në farmaci. Ajo ka një vit që nuk ka parë burrin dhe familjen e saj në Arabinë Saudite por vazhdon të vaksinojë banorët e Virxhinias.
“Kam kaluar kohën mirë duke biseduar me pacientët dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre si përshembull se çfarë ilaçesh mund të marrin nëse kanë temperaturë.”
Presidentja Tracy Fitzsimmons thotë se shpreson në shtimin e prodhimit të dozave të vaksinës. Kjo qendër, thotë ajo, mund të vaksinojë 6 mijë njerëz në ditë nëse rriten furnizimet.
“Të gjithë kanë të drejtën të vaksinohen. Detyra jonë është që t’u shërbejmë të gjithëve pa dallim të ardhurash financiare, racore apo etnike. Të gjithë kanë të drejtë të vaksinohen.”
Facebook Forum