Lidhje

Huawei, gjiganti kinez i telekomunikacionit, mpaket nën presionin amerikan


Kur Joe Biden erdhi në Shtëpinë e Bardhë, firma kineze e telekomunikacionit, Huawei Technologies pa një fije shprese se mund të lehtësohej pak fushata e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për ta bllokuar këtë kompani nga tregjet ndërkombëtare.

Dikur një firmë e fuqishme globale në shitjen e telefonave inteligjentë, Huawei ka përjetuar tkurrje drastike të pëqindjes së tregut global që kontrollon që kur administrata e ish-Presidentit Trump filloi t’i bllokonte linjat e furnizimit që janë jetike për prodhimin e produkteve me teknologjinë 5G. Po ashtu operacionet e kësaj kompanie për të ngritur infrastrukturën e telefonisë celulare, në veçanti për sistemet 5G, u dëmtuan rëndë nga fushata amerikane kundër kësaj firme.

Presidenti Biden nuk kishte sinjalizuar se ai do të ishte më i butë me Kinën, gjë që u konfirmua nga emërimi i zonjës Katherine Tai, e cila ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Pekinit, si Përfaqësuese amerikane e Tregtisë. Por Huawei dhe firmat e tjera kineze menduan se së paku dy vendet do të tërhiqeshin nga pozicionimi konfliktual që kishte krijuar lufta tregtare e administratës së Presidentit Trump.

Biden forcon kufizimet

Në fillim të këtij muaji, shpresat e Huaweit për lehtësim u errësuan ndjeshëm kur administrata e Presidentit Biden njoftoi se jo vetëm që do të vazhdonte disa nga ndalimet e eksportit të administratës Trump, por do t'i forconte ato.

"Administrata Biden duket se po mban në fuqi politikën e vonshme të ish-Presidentit Trump e cila vendos se çfarë produktesh u lejohet kompanive amerikane t’i eksportojnë firmës Huawei. Kjo politikë e vendosur në fund të mandatit, ishte më e ashpër se politika e miratuar në 2020,” tha Kevin Wolf, ish-ndihmës sekretar i tregtisë për menaxhimin e eksportit në Zyrën e Industrisë dhe Sigurisë pranë Departamentit amerikan të Tregtisë.

Zoti Wolf, aktualisht jurist në firmën ligjore Akin Gump në Uashington, shtoi: “Në mënyrë që politika e liçencave të eksportit të jetë e stabilizuar dhe të ndihmojë për të krijuar një terren të drejtë për konkurrencë, janë ndryshuar liçencat e miratuara në 2020, duke u bërë më të kufizuara në përdorim, në mënyrë që të reflektonin politikën e vonshme të administratës Trump. Në veçanti, liçencat për transport ndërkombëtar për artikuj “që përdoren në pajisje që operojnë me teknologjinë 5G” të cilat tani ose anulohen ose nuk miratohen”.

Takime të tensionuara

Në prag të takimit të parë të nivelit të lartë mes zyrtarëve të administratës së re amerikane dhe homologëve kinezë, Departamenti i Tregtisë njoftoi se kishte nxjerrë urdhra për t’u paraqitur në gjykatë për një numër kompanish kineze në kuadër të një hetimi mbi kërcënime ndaj sigurisë kombëtare.

The new Huawei Mate 40 Pro smartphone is held for a photo, in London, Wednesday Oct. 21, 2020. Huawei, has unveiled its Mate 40 line of phones, Thursday Oct. 22, 2020, a product release that comes at a crucial moment for the company. (AP Photo/James…
The new Huawei Mate 40 Pro smartphone is held for a photo, in London, Wednesday Oct. 21, 2020. Huawei, has unveiled its Mate 40 line of phones, Thursday Oct. 22, 2020, a product release that comes at a crucial moment for the company. (AP Photo/James…


Këto veprime marrin shkas nga një urdhër ekzekutiv i ish-Presidentit Trump në 2019 që autorizon ekzekutivin të pengojë blerjen e pajisjeve dhe programeve teknologjike që konsiderohen si kritike për sigurinë kombëtare. Departamenti i Tregtisë nuk veçoi kompani specifike që janë nën hetime, por shumë ekspertë besojnë se një ndër to është Huawei.

Të nesërmen, në takimin e ndezur me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Yang Jiechi, drejtor i Komisionit për Çështje të Jashtme të Partisë Komuniste kineze, kritikoi ashpër SHBA duke thënë “Amerika abuzon nocionet e sigurisë kombëtare dhe nxit disa vende të sulmojnë Kinën”.

Zanafilla e ndalimeve

Duke filluar me hove në 2019, pati një sërë ndalimesh të eksporteve për Huawein, të cilat ndërprenë furnizimin me elementë esencialë për operacionet e kompanisë.

Fushata amerikane ishte pjesërisht reagim ndaj luftës tregtare mes dy vendeve gjatë administratës Trump, por edhe në një farë mase reagim ndaj shqetësimeve reale për sigurinë kombëtare nëse Huawei do të merrte pozicionim dominues në rrjetin global 5G, gjenerata e ardhshme e teknologjisë informative që mundëson shërbime shumë më të shpejta në telefoninë celulare.

Agjencitë amerikane të zbulimit prej kohësh kanë konfirmuar se Huawei ka lidhje të ngushta me qeverinë kineze. Po ashtu fakti që ligji kinez shprehimisht u kërkon kompanive të bashkëpunojnë me shërbimet kineze të zbulimit për të grumbulluar të dhëna, i nxiti zyrtarët amerikanë të paralajmërojnë se komponentët e Huaweit mund të përdoreshin për të krijuar “qasje të fshehtë” për Pekinin në sisteme të rëndësishme të sektorit shtetëror e privat amerikan.

“Si urdhëron” thotë Huawei

Zyrtarët e firmës Huawei kanë shprehur vazhdimisht irritim që trajtohen publikisht si dorë e qeverisë kineze. Javën e kaluar, Andy Purdy, shefi për sigurinë në filialin amerikan të kompanisë, tha për kanalin Bloomberg News se nëse administrata e Presidentit Biden ka shqetësime për Huawein, “shpresojmë që qeveria amerikane do të komunikojë me ne dhe të mos flasë për lidhje me qeverinë kineze, sepse Huawei flet vetë për Huawein”.

Shumë ekspertë të fushës vazhdojnë të kenë dyshime për pavarësinë e kompanisë.

“Ndoshta qeveria kineze nuk flet në emër të Huaweit. Por kur qeveria kineze flet me Huawein, kompania Huawei thotë ‘Si urdhëron’,” tha Jim Lewis, analist në Qendrën për Studime Ndërkombëtare e Strategjike.

Ndikim i gjerë

Fushata e administratës së mëparshme ndaj Huaweit ishte nganjëherë kaotike, por gjithsesi dha rezultat.

Të gjithë telefonat e prodhuar nga Huawei kishin përdorur sistemin Android të operimit, prodhim i kompanisë Google, por në maj 2019 Google njoftoi se do të respektonte urdhrin e qeverisë amerikane dhe nuk do t’i shiste më liçenca për sistemin e saj të operimit Huaweit për telefonat e rinj të prodhuar nga kjo kompani kineze.

Gjigandët amerikanë të mikroçipeve, Intel dhe Qualcomm po ashtu nuk lejoheshin më t’i shisnin teknoligjinë e tyre Huaweit, duke i mohuar thuajse plotësisht gjigandit kinez aftësinë për të prodhuar aparate celulare të avancuara.

Sipas korporatës “International Data”, e cila analizon zhvillimet në biznesin e telekomunikacionit, me humbjen e linjave të furnizimit me çipe, u tkurr përqindja e tregut global të celularëve që kontrollohej nga Huawei. Në tremujorin e dytë të 2020 Huawei kishte shitur afro 20.2% të vëllimit global të aparateve celulare, por në tremujorin e katërt të vitit shifra kishte rënë në 8.6%.

Analistë të tjerë parashikojnë se brenda 2021, kjo shifër mund të përgjysmohet.

Bie dominimi 5G

Presioni tek aleatët për të shmangur ofertat e Huaweit për infrastrukturë të teknologjisë 5G ka qenë mjaft i suksesshëm.

Pjesa më e madhe e aleatëve të Amerikës ua ndaluan firmave të tyre të telekomunikacionit të përdorin pajisje të prodhuara nga Huawei dhe disa vende si Britania janë zotuar të ndjekin procesin e kushtueshëm të zëvendësimit të komponentëve të shitur nga Huawei që janë tashmë pjesë e sistemeve të tyre.

Analisti Lewis pohon se Huawei është bllokuar nga sistemet e pjesës më të madhe të aleatëve të Amerikës, por thotë se kjo nuk u bë thjesht për arsye të presionit të Uashingtonit.

Gjatë viteve ndaj Huaweit janë ngritur akuza të ndryshme, jo vetëm nga SHBA, por edhe vende të tjera, për praktika të dyshimta. Një raport i vitit 2019 tregon se firma britanike e telekomunikacionit, Vodaphone kishte zbuluar “porta sekrete” në pajisjet e Huaweit. Firma kineze është akuzuar në disa raste edhe për spiunazh industrial.

“Një pjesë e kësaj rezistence ka të bëjë me ndërgjegjësim: “shiheni me kujdes se çfarë po bën Huawei” dhe vendet e tjera bënë analizat e tyre të pavarura,” thotë zoti Lewis. “Evropianët filluan ta shohin Huawein si burim rreziku para se të vinte administrata e ish-Presidentit Trump. Pra, në shumë raste Huawei është kapur në rrjetën e veprimeve të veta”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG