Lidhje

Studimi mbi ekstremizmin e dhunshëm: “Qytetarët më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik”


Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot sondazhin kombëtar “Statusi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri 2021”.

Studimi mbi ekstremizmin e dhunshëm: “Qytetarët më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik”
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Studimi zbuloi se shqiptarët janë gati të presin për riintegrim të kthyerit nga zonat siriane të konfliktit, por ata janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik sesa për ekstremizmin fetar apo nacionalist.

Të anketuarit pohuan se nxitësit kryesorë të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri janë korrupsioni, pandëshkueshmëria, varfëria dhe përjashtimi.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim e publikoi studimin në konferencën “Statusi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri 2021”, ku theksohet se ekstremizmi i dhunshëm mbetet ende i pranishëm në Shqipëri, ndonëse është shmangur rreziku i madh prej forcimit të ligjeve dhe masave parandaluese.

Megjithatë disa individë, shumica të papunë, të rinj dhe të përjashtuar mund të cënohen nga ekstremizmi i dhunshëm, për shkak të varfërisë, mbijetesës dhe shkollimit të pakët.

Në këto kushte të vështira, theksohet në studim, ata mund ta justifikojnë përdorimin e dhunës për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre përballë elitave qeverisëse të perceptuara si imorale dhe të padrejta.

“Studimi zbuloi se ekstremizmi i dhunshëm fetar ngadalë është zëvendësuar me ekstremizma të tjera si ai politik. Të anketuarit pohojnë se në komunitetet e tyre veprojnë më shumë grupe dhe individë ekstremistë politikë, se sa fetarë apo nacinalistë” - thotë Sotiraq Hroni, drejtues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Mbi 27 për qind e të anketuarve pohojnë praninë e individëve dhe grupeve që nxitin ekstremizmin politik, por më pak se gjysma e tyre mbi 12 për qind pohojnë praninë e atyre që nxitin ekstremizmin fetar edhe akoma më pak, afro 8 pë qind nxitin ektremizëm nacionalist.

Sipas sondazhit, mbi 44% e popullsisë mendojnë se sistemi politik në Shqipëri është i padrejtë dhe duhet të ndryshohet edhe me dhunë nëse është e nevojshme, dhe mbi 35% thonë se njerëzit kanë të drejtë të bëjnë vetëgjyqësi kur u mohohen liritë e të drejtat nga institucionet shtetërore.

“Sipas këtij studimi, Mbi 80% e shqiptarëve thonë se në zonën ku banojnë ka shumë familje apo individë që nuk përmbushin dot nevojat bazë të jetesës dhe se shumë të rinj kanë rënë pre e sjelljeve të rrezikshme” - tha autorja kryesore e studimit, Leonie Vrugtman.

Nxitës kryesorë të ekstremizmit të dhunshëm shihen varfëria, izolimi, papunësia, fragmentimi dhe përjashtimi social, diskriminimi dhe ekonomia e paligjshme, që sjellin zhgënjim ndaj sistemit politik dhe ekonomik.

Frenimi i ekonomisë informale e kriminale dhe i korrupsionit galopant, përmirësimi i shërbimeve pranë komunitetit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, thuhet në studim, janë mënyra më e mirë për të ulur rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm.

“Disa nga faktorët që bazohen në situatën socio-ekonomike, korrupsioni, zbatimi i ligjit edhe tema të tjera paraqesin rrezik për radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm, ndaj duhen bashkuar forcat për të luftuar këtë dukuri. SHBA mbetet e angazhuar të luftojë ekstremizmin e dhunshëm, dhe ambasada amerikane në Shqipëri është përkrah shqiptarëve për të luftuar këtë dukuri. Ne jemi bashë dhe bashkë do të arrijmë sukses. Falë veprimtarive dhe studimeve të vazhdueshme, ekstremizmi ka rënë dhe komuniteti qytetar është ndërgjegjësuar” - tha Brian Beckmann, përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

Nxitësit politikë lidhen me gjendjen aktuale dhe të perceptuar të demokracisë, qeverisjen dhe funksionimin e shtetit ligjor në një vend.

Edhe pse kanë kaluar 30 vjet që nga rënia e sistemit komunist, Shqipëria mbetet ende shumë larg sistemit të një demokracie të konsoliduar - thuhet në studim.

Në pesë vitet e fundit efektiviteti dhe llogaridhënia e parlamentit dhe qeverisë nuk janë përmirësuar, gjë që ndikon në besimin e qytetarëve te qeverisja dhe shteti ligjor.

“Korrupsioni i përhapur dhe pandëshkueshmëria e elitave me lidhje të forta” vlerësohen si nxitësi kryesor politik për ekstremizmin e dhunshëm.

Sondazhi zbuloi se afro 4 në 10 shqiptarë e shohin fenë si një mundësi për trajtimin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke besuar se në Shqipëri do të ketë më shmë drejtësi, nëse më shumë njerëz do të bashkohen me fenë e tyre.

Të anketuarit e perceptojnë si nxitës të ekstremizmit të dhunshëm diskriminimin shoqëror si brenda edhe jashtë vendit, duke menduar se për shembull BE është e padrejtë ndaj vendeve me shumicë muslimane në Ballkan.

Por nga ana tjetër, një në 4 të anketuar besojnë se islami në Shqipëri përballet me ndikime të huaja, dhe 1 në 4 shqiptarë janë dakord se në komunitetin e tyre fetar ka klerikë pa arsimin/ formimin e duhur fetar.

Gjashtë vjet më parë 144 shtetasve shqiptarë shkuan për të marrë pjesë në zhvillimet e dhunshme në zonat e konfliktit në Irak dhe Siri të motivuar nga ekstemizmi i dhunshëm.

Studimi theksoi se komunitetet qytetare duhet të vazhdojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve dhe ata me tendenca të dhunshme, duke i përfshirë në punësim dhe dialog.

Mbi 47% e shqiptarëve thonë nuk do ta kishin problem që familje të tilla të rikthyera të vendosen në komunitetin e tyre.

Duke menduar riatdhesimin e pritshëm të shtetasve shqiptarë nga Siria dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, studimi sugjeron të vazhdohet me përpjekjet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke zvogëluar hapësirat ku veprojnë grupe të tilla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG