Autoriteti palestinez përshëndeti të enjten vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për të filluar një hetim mbi krimet e pretenduara të Izraelit në territoret palestineze. Prokurorja Fatou Bensouda tha në një deklaratë të mërkurën se hetimi do të përfshinte "krime brenda juridiksionit të gjykatës që pretendohet të jenë kryer" prej 13 qershorit 2014. Por njoftimi i bërë të mërkurën nga gjykata nxiti kritika nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë "veprimet që synojnë të vendosin padrejtësisht në shënjestër Izraelin". Në një deklaratë Kryeministri i izraelit Benjamin Netanyahu tha se "shteti i Izraelit është nën sulm" duke shtuar se "gjykata e njëanshme ndërkombëtare në Hagë mori një vendim që është thelbi i antisemitizmit dhe hipokrizisë".
Prokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Fatou Bensouda tha se hetimi do të kryhej "në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe objektive, pa frikë apo favorizime".
Në 2019-n ajo pati thënë se në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës ishin kryer apo po kryheshin krime lufte me autorë të mundshëm si grupin militant të Hamasit ashtu edhe Forcat e Mbrojtjes Izraelite. Prokurorja ka thënë se hetimi i saj do të përqëndrohet edhe tek veprimet e Hamasit, tek sulmi me raketa pa një objektiv të përcaktuar në 2014 ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i qeverisë palestineze, Ibrahim Milhim e përshëndeti vendimin e gjykatës.
“Qeveria e mirëpret vendimin e Bensoudas për të hapur një hetim mbi krimet izraelite të kryera në territoret palestineze, duke përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin e zaptuar. Ne do të sigurojmë të gjitha provat dhe të dhënat e nevojshme për këtë gjykatë për ta ndihmuar atë të ndjekë penalisht kriminelët dhe vrasësit", tha zëdhënësi palestinez.
Profesori Yuval Shani i Institutit për Demokraci në Izrael thotë se megjithatë ekziston ende një mundësi që çështja të rrëzohet.
"Izraeli në fakt ka kryer hetime mjaft të gjera mbi situatën në Gaza. Pra nëse Izraeli do të ndante informacionin në lidhje me këto hetime me prokurorin, ka shumë gjasa që në fund prokurori të vendosë të mos e ndjekë çështjen", thotë ai.
Zoti Shani shtoi se nëse hetimet fillojnë, ato ka të ngjarë të përqendrohen tek ushtarakë të rangut të lartë apo anëtarë të qeverisë.
Ndërsa vendimi i gjykatës nuk paraqet ndonjë kërcënim të menjëhershëm për Izraelin, gjykata ka autoritetin të lëshojë në heshtje urdhër-arreste për njerëzit e dyshuar për krime.
Facebook Forum