Lidhje

E fejuara e Khashoggit kërkon ndëshkimin e Princit saudit të Kurorës


Të hënën e fejuara e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi kërkoi “ndëshkimin pa vonesë" të Princit saudit të Kurorës Mohammed bin Salmani, si personi që urdhëroi vrasjen e gazetarit.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, Hatice Cengiz tha se nëse Princi i Kurorës nuk ndëshkohet "do të sinjalizojë përgjithmonë se fajtori kryesor mund të bëjë çfarë të dojë, pa u ndëshkuar, duke na rrezikuar ne të gjithëve. Kjo do të jetë një njollë për njerëzimin", shkruante më tej ajo.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara bënë publik një raport të agjencive të zbulimit ku thuhej se Princi i Kurorës kishte miratuar vrasjen e gazetarit në konsullatën saudite në Turqi.

Jamal Khashoggi ishte joshur të shkonte në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018. Ai u vra nga operativë të lidhur me Princin e Kurorës. Trupi i tij u copëtua dhe eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

Më në fund Arabia Saudite pohoi se gazetari ishte vrarë gabimisht, por mohoi përfshirjen e Princit të Kurorës. Të premten Riadi e hodhi poshtë raportin amerikan, duke thënë se përmbante "informacione e konkluzione të pasakta".

Në raportin e agjencive amerikane të zbulimit thuhej se nuk kishte gjasa që Jamal Khashoggi të ishte vrarë pa miratimin e princit.

"Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në marrëdhëniet e tyre me Arabinë Saudite, Presidenti Joe Biden e ka bërë të qartë se partneriteti duhet të pasqyrojë vlerat e SHBA-së", tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë të premten.

Administrata e zotit Biden njoftoi kufizime në lëshimin e vizave për 76 shtetas të Arabisë Sauditë. Zoti Blinken tha se "besohet që ata të kenë qenë të përfshirë në kërcënimin e disidentëve jashtë shtetit përfshirë, jo vertëm Khashoggin, por edhe të tjerë".

Në mesazhin e saj të hënën, zonja Cengiz tha se masat amerikane do të ishin kuptimplota vetëm nëse Princi i Kurorës do të ndëshkohej.

"Duke filluar nga administrata e zotit Biden, është me rëndësi jetike për të gjithë udhëheqësit botërorë të pyesin veten nëse janë të gatshëm të shtrëngojnë duart me një person, fajësia e të cilit si një vrasës është provuar, por nuk është ndëshkuar ende", shkruante zonja Cengiz. "Injorimi i këtij fakti dhe mungesa e ndëshkimit do të na bëjë që ne të humbasim vlerat tona universale si racë njerëzore".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG