Lidhje

Shqipëria i vetmi vend pa një minimum jetik zyrtar, pohojnë ekspertët


Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht një minimumin jetik të popullsisë.

Studiuesit e ekonomisë pohojnë se, bazuar në vlerësimet e Bankës Botërore, afro 40 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e minimumit jetik.

Shqipëria, i vetmi vend në Ballkan që nuk ka vlerësuar minimumin jetik
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Ata pohojnë se qeveritë shqiptare nuk e studiojnë zyrtarisht minimumin jetik, për t’ju shmangur detyrimeve, që lindin nga skemat e kompensimit të varfërisë.

Edhe sot 3 dekada pas kalimit nga ekonomia e centralizuar e diktaturës komuniste në ekonominë e tregut të lirë asnjë qeveri shqiptare apo shumicë në pushtet nuk kanë vlerësuar zyrtarisht minimumin jetik të popullatës.

Të dhënat e mirëqenies në anketa që publikon Instat, thonë ekspertët, nuk bazohen në metodat e studimit të minimumit jetik.

Mjeti i vetëm i matjes së varfërisë sot në Shqipëri, thotë studiuesi Selami Xhepa, është përcaktimi i Bankës Botërore afro 3 dollarë në ditë për frymë ose 100 dollarë në muaj.

“Me këtë standard të Bankës Botërore, në Shqipëri vlerësohet që rreth 40 për qind e popullsisë jetojnë nën këtë kufi varfërie, çka e bën varfërinë një dukuri të përhapur gjerësisht dhe shumë të theksuar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”- tha zoti Xhepa.

Nisma e vetme për të studiuar minimumin jetik ndodhi afro 6 vjet më parë kur avokati I popullit i kërkoi një studim të tillë Qendrës së pavarur për Kërkime ekonomike, por institucionet shtetërore përsëri nuk u përfshinë dhe as nuk e vazhduan kërkimin shkencor mbi varfërinë e shqiptarëve.

Ai studim vlerësoi se minimum jetik duhet të ishte 160 dollarë në muaj për frymë, ku hyn shporta ushqimore dhe konsumi jetik pa përfshirë taksat.

“Paga minimale e referencës, në rastin konkret, duhet ishte dyfishi I kësaj shume pa taksa. Pra, një pagë prej 32 mijë lekësh është krejt normale për të garantuar minimumin e ekzistencës për një fashë apo një grup të shoqërisë, i cili nën efektet e pandemisë ka tendencë të rritet” - tha autori i studimit, Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

Shqipëria shpenzon aktualisht më pak se 10 për qind të GDP për këto skema të mbështetjes së varfërisë.

Nëse qeveria do të njihte një minimum jetik, atëherë ajo duhej të ndante shuma më të mëdha nga buxheti për të kompensuar këtë varfëri, ose për të mbuluar programin e të ardhurave të garantuara, sic quhen kudo në botë.

Politikat mbrojtëse duhet të ishin të tilla që çdo qytetar nën këtë minimum jetik duhet të merrte një kompensim nga shteti, ashtu si ndodh në vendet demokratike të botës, Nëse do të kishim një minimum jetik të njohur zyrtarisht.

Edhe pse kanë anëtarë të punësuar me paga të ulëta, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare janë në këtë nivel minimal të jetesës.

“Kjo do të thotë që të gjithë familjet shqiptare janë pretendentë për marrjen e kompensimeve, plotësimit të të ardhurave nga buxheti I shtetit. Fakti që ne gjendemi në këtë nivel ekonomik e bën të pamundur shtetin, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk kemi një matje zyrtare të treguesit të varfërisë, ose minimumit jetik” - thotë zoti Xhepa.

Problem thelbësor mbetet që pjesa më e madhe e punësimit në Shqipëri, si bujqësia, industria e përpunimit, shërbimet, (2/3 është e punësuar në këto sektorë), pagat janë afro 300 dollarë për person, pra një nivel I ulët të ardhurash, edhe kjo tregon që edhe varfëria është një dukuri massive dhe e përhapur.

Aty ku varfëria është kaq e pranishme, lind problemi se si do të ushqehet rritja ekonomike.

“Në kushtet e sotme është i shëndetshëm debati për njohjen e minimumit jetik nga qeveria. Po ashtu politikat sociale duhen fokusuar tek shtresat në nevojë dhe drejt këtij minimum jetik” - thotë zoti Preçi.

Ekspertët propozojnë që në qendër të politikave ekonomike duhet vendosur familja shqiptare dhe vlerësimi i nivelit të jetesës të mos bëhet më me kalori si në regjimin komunist, por bazuar në mesataren e të ardhurave.

Zbutja e varfërisë është detyrë humane dhe kushtetuese, pohojnë ata, dhe njohja e minimumit nuk ushqen mbijetesën asistenciale, por nxit punësimin dhe kërkimin e burimeve të reja të punës.

Llogaritja e varfërisë me praninë e televizori apo frigoriferi në banesë duhet lënë mënjanë, sipas tyre, dhe tashmë duhet kryer me matjen e fuqisë prodhuese e punës, duke nxitur daljen nga rrethi i varfërisë përmes shkollimit dhe kualifikimeve profesionale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG