Lidhje

Industria e naftës në pritje të nismave për energji të pastër të administratës Biden


Presidenti amerikan Joe Biden po planifikon të sjellë atë që ai e quan një revolucion të energjisë së pastër për të trajtuar çështjen e ndryshimit të klimës. Industria e naftës, e cila kishte kaluar revolucionin e saj një dekadë më parë për të përmbushur standardet më të rrepta mjedisore, ka përfituar nga nismat për prodhimin e karburanteve më miqësore ndaj mjedisit. Njëzet vjet më parë, ishte e vështirë të imagjinohej diçka më e dëmshme për mjedisin sesa nafta e përdorur nga kamionët e rëndë, që lëshonin tym të zi dhe ndotës.

John Force, një shofer i suksesshëm i makinave të garave sportive të Shoqatës Kombëtare Amerikane Hot Rod, ishte shofer kamioni në vitet 1960. Tani, ai shpesh kujton vitet e tij të hershme, por ai gjithashtu thotë se është i kënaqur që është bërë i mundur prodhimi i naftës më të pastër dhe më miqësore ndaj mjedisit.

"Për këtë arsye tani kemi qytete më të pastra në Amerikë dhe botë. Nëse industria e naftës nuk do të prodhonte produkte më të pastra dhe më miqësore ndaj mjedisit, ne thjesht do të shkatërronim botën në të cilën po jetojmë. Fëmijët tanë tani do të shohin një epokë tjetër".

Nxitja për prodhim të naftës më të pastër erdhi nga Agjencia amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit, e cila lëshoi një mandat që kërkon që të gjithë kamionët e mëdhenj me naftë, duke filluar me ata të prodhuar në vitin 2010, të pakësonin emetimin e grimcave dhe oksideve të azotit në nivelin afër zeros.

Kompania Old World Idustries në fabrikën e saj në Kaliforninë jugore prodhon produktin e saj BlueDEF, një kimikat i përdorur në produktet bujqësore si plehrat artificiale, që është thelbësor në "pastrimin" e gazrave të dëmshëm që dalin nga tubat e makinave.

Teknologjia që mundëson këtë proces quhet Reduktimi Katalitik Selektiv (SCR). Përmes kësaj teknologjie injektohet kimikati BlueDEF në tubat e motorit me naftë, duke konvertuar oksidet e azotit në azot dhe ujë, elemente në ajrin që ne thithim. Kjo i nidhmon automjetet me naftë të plotësojnë kushtet e Agjencisë amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit.

"Në disa nga zonat më të ndotura të vendit, për shembull në Los Anxhelos, ajri i shkarkuar nga tubat e modeleve të reja të kamionëve me naftë, është në fakt më i pastër se ai në ditët me nivel të lartë ndotjeje në qytet", thotë Allen Schaeffer, drejtor ekzekutiv i Forumit të Teknologjisë së Naftës.

Sipas të dhënave të fundit të Departramentit amerikan të Transportit, në vitin 2012 Shtetet e Bashkuara kishin më shumë se 133 milionë kamionë me naftë në rrugët e tyre.

Përveç ruajtjes së mjedisit, teknologjia gjithashtu ka çuar në një rritje të efikasitetit të karburantit. Disa motorë me naftë, të pajisur me teknologjinë SCR përdorin 3-5 përqind, dhe në disa raste deri në 10 përqind më pak karburant sesa motorët e vjetër. Kursimet janë të mëdha për makinat më të rënda në rrugë, ato të klasit të tetë, të cilat peshojnë afërsisht 15 mijë kilogramë.

"Kur bëhet fjalë për pajisjet e rënda, automjetet e klasit të 8, kursimet e naftës nga 5 deri në 10 përqind janë të konsiderueshme pasi karburanti është shpenzimi më i madh në procesin e funksionimit të tyre”, thotë Charles Culverhouse, president i kompanisë Old World Industries.

Kostoja e trajtimit të 100 litrave naftë me kimikatin pastrues është rreth 13 dollarë. Industria e naftës shpreson që kursimet nga rritja e efikastitetit të karburantit, në planin afatgjatë, do të justifikojnë koston e lartë fillestare të investimeve në këtë teknologji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG