Në Uashington ligjvënësit po përballen me pasojat që solli gjyqi në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Ky u fundit u shpall i pafajshëm mbi akuzën për nxitje të rebelimit në Kapitol më 6 janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn njofton.
Shumë pikëpyetje janë ngritur rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë pas përfundimi të gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i cili u shpall i pafajshëm lidhur me akuzën për nxitje të sulmit të dhunshëm më 6 janar ndaj Kapitolit. Disa ligjvënës, mes tyre republikane, kanë sugjeruar se ai mund të përballet me pasoja të tjera.
"Presidenti Trump është ende përgjegjës për gjithçka që bëri ndërsa ishte në detyrë, përjashtuar rastin kur përfundon periudha brenda së cilës ligji mund të veprojë. Si një qytetar i zakonshëm, ai është ende përgjegjës për gjithçka bëri ndërsa ishte në detyrë. Ai nuk ia ka hedhur ende", tha Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës në Senat.
Por cilat mund të jenë pasojat? Zoti Trump ka ende fuqi të jashtëzakonshme brenda Partisë Republikane.
Pas vendimit në Senat, zoti Trump lëshoi një deklaratë ku sugjeronte se lëvizja e tij politike sapo ka filluar. Megjithatë disa republikanë, mes tyre edhe senatori i Luizianës Bill Cassidy, i cili votoi për ta shpallur fajtor ish-presidentin, thonë se është koha që partia të shkëputet nga zoti Trump.
“Mendoj se forca e tij do venitet. Partia Republikane është më shumë se një person i vetëm. Partia Republikane ka të bëjë me idetë”, tha senatori republikan Bill Cassidy.
Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për ngritjen e një komisioni hetimor mbi 6 janarin, të ngjashëm me të ashtuquajturin komisioni i 11 shtatorit që hetoi sulmin terrorist të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
"Ka ende shumë prova që populli amerikan ka nevojë dhe meriton t’i dëgjojë dhe një komision si ai i 11 shtatorit është një mënyrë për të garantuar Kapitolin në të ardhmen. Ai do të ndihmojë për të zbuluar të dhëna se deri në ç’masë presidenti Donald Trump shkeli betimin e tij përpara kushtetutës", thotë senatori demokrat Chris Coons.
Ligjvënësit e Senatit nuk arritën të siguronin 67 vota e nevojshme për të shpallur fajtor ish-presidentin. Votimi u krye një muaj pasi Dhoma e Përfaqësuesve e akuzoi zyrtarisht Donald Trump-in për nxitje rebelimi.
Facebook Forum