UASHINGTON - Avokatët e ish-Presidentit Trump përmbyllën të premten argumentat e tyre mbrojtëse pas një seance tre-orëshe. Ata e mbrojtën ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të premten gjatë gjyqit të tij të dytë në Senat, duke mohuar se ai ndihmoi në nxitjen e një sulmi vdekjeprurës të turmave ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe duke argumentuar se gjyqi është një "gjueti shtrigash", i frymëzuar politikisht dhe i paligjshëm.
Avokatët paraqitën argumentat e tyre për gati tre orë rrjesht të premten, duke zgjedhur të mos shfrytëzojnë plotësisht totalin prej 16 orësh të vëna në dispozicion për mbrojtjen.
"Akuza para Senatit është një akt hakmarrjeje politike të padrejtë dhe haptazi antikushtetuese", tha avokati i zotit Trump, Michael van der Veen.
"Si çdo gjueti shtrigash e motivuar politikisht nga e majta, e cila është angazhuar gjatë katër viteve të fundit, ky proces është plotësisht i ndarë nga faktet, provat dhe interesat e popullit amerikan", shtoi van der Veen.
Avokatët e zotit Trump u thanë senatorëve se ish-presidenti kishte të drejtën të kundërshtonte humbjen e tij në zgjedhje përballë Presidentit Joe Biden dhe se fjalimi 70-minutësh i zotit Trump vetëm disa minuta para rebelimit të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara nuk përbënte nxitje të dhunës.
"Retorikë e zakonshme politike"
Kur ish-Presidenti Trump nxiti mijëra mbështetësit e mbledhur të "luftonin fort", mbrojtja tha se nuk ishte ndryshe nga përdorimi i retorikës së ngjashme nga demokratët që mund të shkaktonte dhunë.
"Kjo është retorikë e zakonshme politike që praktikisht nuk dallohet nga gjuha që është përdorur nga njerëzit në të gjithë spektrin politik për qindra vjet", tha van der Veen.
Avokatët e ish-Presidentit Trump luajtën një video-montazh të gjatë që shfaqte zyrtarë të lartë demokratë, përfshirë Nënpresidenten Kamala Harris, Senatoret Elizabeth Warren dhe drejtuesin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer, duke përdorur fjalën "luftë" pa asnjë kontekst.
Në video u shfaqën edhe ligjvënësit demokratë që shërbejnë si përfaqësuesit e akuzës për dënimin e ish-presidentit për nxitjen e trazirave.
Avokatët e ish-presidentit kanë thënë se retorika e tij ishte e mbrojtur nga garancia e fjalës së lirë të Kushtetutës amerikane dhe se prokurorët nuk kishin arritur të vërtetonin një lidhje të drejtpërdrejtë të veprimeve të protestuesve me fjalimin e zotit Trump.
Avokatët e ish-presidentit Donald Trump thanë se u duhet vetëm një ditë për të paraqitur çështjen e klientit të tyre në gjyqin para Senatit amerikan.
Avokatët e zotit Trump kanë ndërtuar strategjinë e mbrojtjes pa ndonjë dëshmi nga ish-presidenti, i cili ka refuzuar të marrë pjesë në gjyq.
Prezantimi i ligjvënësve demokratë
Mbrojtja pason një prezantim dy-ditor nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që lidhën retorikën e ish presidentit Trump në tubimin e 6 janarit me veprimet e turmës që sulmoi Kapitolin menjëherë pas fjalimit të tij në përpjekje për të bllokuar çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Në një lëvizje të pazakontë të enjten, tre senatorë republikanë - Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, Ted Cruz i Teksasit dhe Mike Lee i Jutas - të cilët shërbejnë si anëtarë të jurisë në gjyq, u takuan me avokatët e ish-presidentit Trump.
Kanali CNN njoftoi se David Schoen, një nga avokatët e Trumpit, tha se senatorët donin të siguroheshin që ekipi mbrojtës i Trumpit ishte "i njohur me procedurën" para prezantimit të së premtes.
Ish presidenti Trump njoftohet të jetë i zhgënjyer me prezantimin e avokatëve të tij --David Schoen dhe Bruce Castor - të cilët u morën në punë pasi ekipi i parë ligjor i ish-presidentit u largua pak para fillimit të gjyqit.
Prokurorët, që janë nëntë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve argumentuan të enjten se ka prova "të qarta dhe dërrmuese" që ish Trump nxiti sulmin duke dërguar një turmë të mbështetësve të tij në Kapitol muajin e kaluar për t'u përballur me ligjvënësit, ndërsa ata po çertifikonin rezultatin e fitores së demokratit Joe Biden.
"Arsyetim praktik"
Në argumentat përmbyllëse, kongresmeni Jamie Raskin nga Merilendi, u tha 100 anëtarëve të Senatit që shërbejnë si anëtarë të jurisë se duhet të përdorin "arsyetimin praktik për atë që ndodhi ".
"Është parim themelor që askush nuk mund të nxisë protesta të dhunshme" në demokracinë amerikane, tha zoti Raskin.
Avokatët e zotit Trump kanë pretenduar gjerësisht se fjalimi i tij në tubim pak para sulmit në Kapitol, në të cilin ai u kërkoi mbështetësve të tij të "luftonin fort", ishte retorikë politike, e sanksionuar nga mbrojtja e lirisë së fjalës sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.
Një votim prej dy të tretash është i nevojshëm për ta shpallur Trumpin fajtor për një akuzë të vetme, atë të nxitjes së rebelimit duke u kërkuar qindra mbështetësve të përballen me ligjvënësit në Kapitol për të ndalur çertifikimin e fitores së presidenti Biden. Në Senatin e ndarë politikisht me 100 anëtarë, do të duhet që 17 republikanë të bashkohen me demokratët për të arritur numrin e nevojshëm të votave për ta shpallur ish presidentin fajtor.
Për momentin, duket se vetëm një pjesë e republikanëve mund të votojnë për ta dënuar zotin Trump, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza.
Avokatët e Trumpit thonë se ai nuk mban asnjë përgjegjësi për sulmin në Kapitol. Senati votoi 56-44 të martën për të filluar gjyqin, duke hedhur poshtë pretendimin e avokatëve të Trumpit se ishte antikushtetuese që Senati ta gjykonte atë pasi ai tashmë ka lënë detyrën. Votimi gjithashtu dukej se sinjalizonte se pak republikanë duken të gatshëm ta dënojnë ish presidentin.
Trump u largua nga Uashingtoni disa orë përpara inaugurimit të presidentit Biden më 20 janar dhe tani jeton në rezidencën e tij në Florida.
Facebook Forum