Lidhje

Izrael, rifillon gjyqi kundër Kryemnistrit Benjamin Netanyahu


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë seancës në një gjykatë në Jeruzalem.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë seancës në një gjykatë në Jeruzalem.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk pranoi fajësinë në lidhje me akuzat për korrupsion në gjyqin kundër tij që rifilloi sot në Jeruzalem. Zoti Netanyahu akuzohet se ka marrë ryshfete nga miqtë e tij të pasur në këmbim të favoreve.

Qindra njerëz protestuan kundër zotit Netanyahu para gjykatës në Jeruzalem, duke bërë thirrje për dorëheqjen e tij.

Gjyqi kundër Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu rifilloi sot në Jeruzalem pas një ndërprerje për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit.

Kryeministri Netanyahu, gjatë seancës që zgjati rreth 20 minuta, nuk pranoi fajësinë mbi akuzat për korrupsion dhe nuk bëri komente në lidhje me gjyqin pas daljes nga ndërtesa e gjykatës.

Avokatët e zotit Netanyahu i kërkuan gjykatës që të shtynte gjyqin për disa muaj për t’u dhënë atyre kohë për t’u përgatitur. Nëse kërkesa e avokatëve mbrojtës miratohet, gjyqi mund të zhvillohet pas zgjedhjeve të ardhshme të 23 Marsit.

Ndaj zotit Netanyahu vitin e kaluar u ngritën akuza për mashtrim, shkelje të besimit të publikut dhe pranim të ryshfetit në tre raste të veçanta. Kryeministri Netanyahu i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato një “gjueti shtrigash” dhe të orkestruara nga një pjesë e forcave ligjzbatuese të njëanshme dhe media.

Në muajt e fundit, izraelitët kanë mbajtur protesta javore në të cilat kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij dhe kanë kritikuar qeverinë për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Edhe sot qindra njerëz protestuan kundër Kryeministrit Netanyahu, duke bërë thirrje për dorëheqjen e tij.

“Erdhëm këtu sepse ne mbështesim ligjin dhe sistemin e drejtësisë. Ne besojmë se Kryeministri ynë, Benjamin Netanyahu duhet t’i nënshtrohet një procesi gjyqësor si çdo shtetas tjetër i Izraelit. Ai e ka shmangur gjyqin për një kohë shumë të gjatë”, tha Efrat Safran, aktiviste e grupit “Investigation Now”.

Në protestat kundër Kryeministrit Netanyahu po marrin pjesë banorë nga qyetete të ndryshme të Izraelit.

“Protestuesit erdhën këtu për të pastruar rrugët e Izraelit nga korrupsioni dhe ata po bëjnë një punë të mirë. Ata erdhën këtu tetë muaj më parë dhe thonë se nuk do të largohen derisa Netanyahu të japë dorëheqjen”, tha Ravit Naor, një gazetare nga qyteti Herzilja.

Benjamin Netanyahu është udhëheqësi i parë në detyrë i Izraelit që akuzohet për një krim.

Izraeli më 23 Mars do të mbajë zgjedhjet e katërta parlamentare në dy vjet, në të cilat çëshjte kryesore pritet të jenë trajtimi i pandemisë së koronavirusit nga Kryeminitri Netanyahu dhe akuzat për korrupsion që kanë nxitur protesta kundër tij.

Sondazhet tregojnë se gara është shumë e ngushtë, ndërsa rivalët e tij të krahut të djathtë dhe opozita e qendrës së majtë po intensifikojnë fushatën kundër udhëheqësit më jetëgjatë në Izrael. Netanyahu ka qenë kryeministër i vendit që nga viti 2009 dhe ka patur një mandat në këtë post edhe në vitet 1996-1999.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG