Në Shqipëri numri i të infektuarve por dhe vdekjet nga Covid-19 shënuan rritje ditët e fundit, ndërsa të hënën në mbrëmje, mbërriti në Tiranë, dërgesa e parë e vaksinave sipas kontratës së firmosur nga Qeveria me kompaninë Pfizer - BionTech. Ndërkaq studiuesit e pavarur pohojnë se qytetarët nuk po informohen sa duhet për vaksinën dhe masat shtetërore për të.
Në Tiranë mbërritën në mbrëmje një sasi prej 1170 dozash vaksine, pjesë e marrëveshjes me Pfizer, ndonëse sipas kontratës do të duhej të kishin mbërritur 10.750 doza. Kryeministri Edi Rama shpjegoi se shkak janë problemet me prodhimin nga vetë kompania duke siguruar se Pfizer është angazhuar që brenda shkurtit të sjellë dhe diferencën e munguar si dhe dozat e parashikuara për këtë muaj, për një total prej afro 40 mijë vaksinash.
Ashtu si mbi 900 vaksinat që u siguruan në fillim të janarit, edhe vaksinat që mbërritën të hënë, do të shkojnë për personelin shëndetësor të Shqipërisë. Sipas ministrisë së Shëndetësisë "nga nesër do të vijojë vaksinimi me dozën e dytë për 50 mjekët e parë që janë vaksinuar më 11 Janar dhe do të vijojë dhe zgjerohet procesi i vaksinimit për mjekët dhe infermierët ne vijën e parë të betejës me COVID 19".
Duke iu referuar studimit më të fundit të revistës Monitor, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehu shqetësimin se në raport me popullsinë, Shqipëria zuri vendin e parë në Europë për numrin e jetëve të humbura nga COVID-19.
Zoti Meta shkroi në rrjetet sociale se plani i masave për përballjen e pandemisë ka dështuar dhe i bëri thirrje qeverisë për të ndalur propagandën dhe për të hartuar një plan konkret afagjatë, për menaxhimin efikas të situatës.
Presidenti Meta kërkoi të ndalohen pagesat buxhetore për PPP-ve dhe fondet të përdoren për shëndetin e qytetarëve.
Komiteti Teknik i përballjes me pandeminë, pohoi se shifrat e infektimit janë rritur gradualisht në të gjithë vendin gjatë janarit.
Nga ana tjetër, veprimtarë dhe studiues të fushës së shëndetësisë bënë thirrje që zyrtarët të shtojnë informimin mbi vaksinën dhe fushatën e vaksinimit në mënyrë që të rritet gadishmëria për vaksinim.
Arlinda Shehu, menaxhere programesh nga shoqata "Together for Life", thotë se nga studimet europiane ka dalë që kur ulet informimi, ulet edhe vaksinimi.
Shqipëria arriti 3 ditë më parë një rekord me mbi 900 persona të infektuar rishtas në ditë dhe vdekjet po ashtu arritën në nivele të reja.
Krahas shtimit të testeve, tani qytetarët e kanë kthyer vëmendjen nga vaksina dhe presin ta bëjnë sa më parë atë, ndonëse në rrugë, mjedise publike dhe vendet e punës nuk bëjnë kujdes kujdes sa duhet për tu vetëmbrojtur.
Facebook Forum