Një ekip shkencëtarësh me Organizatën Botërore të Shëndetësisë shkoi të dielën në një treg në qytetin Wuhan të Kinës për të bërë hetime lidhur me origjinën e koronavirusit. Sipas zyrtarëve kinezë, koronavirusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019 në një treg me produkte deti. Që nga ajo kohë janë infektuar mbi 102 milion njerëz në të gjithë botën dhe më shumë se 2.2 milion të tjerë kanë humbur jetën.
Ekipi i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë po vazhdon misonin për të hetuar origjinën e koronavirusit, ndërsa sot ishte në atë që njihet si epiqendra e shpërthimit të virusit në tregun me produkte deti në qytetin Wuhan.
Ekipi mbërriti në tregun Huanan mes masave të rrepta sigurie ndërsa autoritetet kishin vënë barrikada shtesë përtej rrethimit të tregut. Shkencëtarët që po hetojnë prejardhjen e virusit qëndruan atje për rreth një orë dhe u larguan të shoqëruar me një autokolonë.
Hyrja e publikut në tregun e madh është kufizuar që nga mbyllja e tij në fillim të vitit të kaluar.
Shkencëtarët kanë vizituar të paktën një nga spitalet e qytetit Wuhan ku u trajtuar pacientët e parë. Ata po përpiqen të zbulojnë origjinën e virusit, se nga cilat kafshë ka ardhur dhe si ka kaluar tek njerëzit. Shkencëtarëve do t’u duhen vite për ta kuptuar këtë zinxhir.
Ekipi i shkencëtarëve po ashtu ka në plan të vizitojë Institutin e Virologjisë në Wuhan si dhe laboratoret në objektet shtetërore si Qendra Wuhan për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë me qendër në Gjenevë.
Facebook Forum