Një nga ndihmësit kryesorë ekonomikë të Presidentit Joe Biden u bëri thirrje senatorëve demokratë dhe republikanë të miratojnë një ndihmë të re prej 1.9 trilion dollarësh për koronavirusin, për të ndihmuar amerikanët në nevojë dhe shmangur një krizë më të madhe ekonomike.
Brian Deese, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar, tha se do të fliste me senatorët si pjesë e një nisme të administratës së Presidentit Biden për të argumentuar nevojën e një plani më të madh financiar shpëtimi.
"Ne nuk mund të presim," u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. "Thjesht arsyeja se politika në Uashington ka qenë e bllokuar më parë, nuk do të thotë se duhet të vazhdojë të bllokohet."
Pandemia COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 417,000 amerikanëve, ka bërë që miliona të humbin punën dhe po infekton më shumë se 175,000 njerëz në ditë, çka përbën një krizë të ngutshme për administratën e zotit Biden.
Presidenti Biden, i cili mori detyrën të mërkurën, bëri fushatë me premtimin për të ndërmarrë veprime agresive kundër pandemisë, të cilën paraardhësi i tij Donald Trump shpesh e minimizoi.
Administrata Trump mbeti shumë larg synimit të saj për imunizimin e 20 milionë amerikanëve deri në fund të vitit 2020. Ajo nuk kishte asnjë plan të gatshëm për shpërndarjen e vaksinës tek miliona amerikanë kur zoti Biden erdhi në krye të ekzekutivit, tha të dielën Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Ron Klain.
Deri tani Kongresi ka autorizuar 4 trilionë dollarë për t'iu përgjigjur pandemisë dhe Shtëpia e Bardhë argumenton se janë të nevojshëm 1.9 trilionë dollarë të tjerë për të mbuluar kostot e përgjigjes ndaj virusit, si dhe për të siguruar kompensime të zgjeruara për papunësinë dhe pagesa për familjet.
"Çështja është kjo: Ne jemi në një emergjencë kombëtare dhe duhet të veprojmë si në emergjencë kombëtare", tha Presidenti Biden të premten përpara nënshkrimit të urdhrave ekzekutive për ndihmën ekonomike.
Megjithëse Partia Demokrate e zotit Biden ka një shumicë të vogël në të dyja dhomat e Kongresit, legjislacioni mund të ketë nevojë për mbështetje dypartiake për të hequr pengesat procedurale dhe për t’u miratuar nga Senati.
Një numër republikanësh janë shprehur kundër përmasave të paketës së propozuar.
Senatori Mitt Romney, një republikan i moderuar, tha për program"Fox News Sunday" se do të dëgjonte argumentet e Shtëpisë së Bardhë, "por shifra e përgjithshme është marramendëse.”
"Shpenzimi dhe huazimi i triliona dollarëve nga kinezët nuk është gjëja më e mirë që mund të bëjmë që ekonomia jonë të jetë e fortë në vështrimin afatgjatë," shtoi senatori.
Facebook Forum