Urimet erdhën nga e gjitë bota ndërsa zoti Joe Biden po betohej si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Ato ishin të ndërthurura me kritika lamtumire nga disa udhëheqës ndaj paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili u largua nga Uashingtoni disa orë para betimit.
Ndërsa inaugurimi ka qenë i pazakontë - pa turma dhe me Kapitolin që ruhej nga mijëra ushtarakë të Gardës Kombëtare - po kështu edhe reagimi nga udhëheqësit e huaj ka qenë i pazakontë.
Disa udhëheqës evropianë që kishin marrëdhënie të vështira me ish-Presidentin Donald Trump nuk u përmbajtën kur panë Presidentin Biden të marrë detyrën.
"Edhe një herë, pas katër viteve të gjata, Evropa ka një mik në Shtëpinë e Bardhë", tha të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur kaq gjatë. Evropa është gati për një fillim të ri me partnerin tonë më të vjetër dhe më të besuar”, u tha ajo ligjvënësve evropianë në Bruksel. Ajo tha se shpresonte që zoti Biden të ishte në gjendje të riparonte ndasitë në Shtetet e Bashkuara dhe se inaugurimi i tij do të ishte "një mesazh shprese për një botë që po pret që Shtetet e Bashkuara të kthehen në rrethin e shteteve që ndajnë të njëjtat parime".
Evropa mirëpret Presidentin Biden
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e quajti të mërkurën "një ditë të mirë për demokracinë".
"Unë jam i lehtësuar që Joe Biden është betuar si president sot dhe po hyn në Shtëpinë e Bardhë. Unë e di se këtë ndjenjë e kanë shumë njerëz në Gjermani”, tha ai në një deklaratë.
Zoti Steinmeier vlerësoi forcën dhe qëndresën e demokracisë amerikane, duke thënë: “Në Shtetet e Bashkuara, (demokracia) qëndroi përballë një presioni të madh. Pavarësisht nga armiqësitë e brendshme, institucionet e Amerikës treguan fuqinë e tyre - punonjësit zgjedhorë, guvernatorët, gjyqësori dhe Kongresi".
Udhëheqësit e tjerë evropianë shmangën referencën ndaj vështirësive të së kaluarës dhe duket se po përpiqeshin të siguroheshin se ata perceptohen si aleatë të mirë për administratën e ardhshme.
"Në luftën tonë kundër COVID-it dhe për ndryshimet klimatike, mbrojtjen, sigurinë dhe promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë, qëllimet tona janë të njëjta dhe kombet tona do të punojnë krah për krah për t'i arritur ato", tha Kryeministri britanik Boris Johnson në një deklaratë.
Zoti Johnson i tha Dhomës së Komuneve se ai do të mirëpresë me kënaqësi presidentin e ri amerikan në Britani më vonë këtë vit për samitinG-7 të vendeve më të zhvilluara të botës dhe për një konferencë për klimën që do të mbahet në Glasgow.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ishte gjithashtu i përqendruar në të ardhmen.
"Ne po presim me padurim presidencën Biden, me të cilën do të fillojmë të punojmë menjëherë në funksion të presidencës sonë të G-20", u tha ai ligjvënësve italianë të martën. "Ne kemi një axhendë të fortë të përbashkët, duke filluar nga multilateralizmi efektiv që të dy duam të shohim, te ndryshimi i klimës, tranzicioni i gjelbër dhe ai dixhital, si dhe përfshirja sociale".
Por Kryeministri socialist i Spanjës Pedro Sanchez nuk i zbukuroi fjalët e tij në lidhje me atë që ai mendon se do të thotë fitorja e zotit Biden në zgjedhje.
"Fitorja e Biden-it përfaqëson fitoren e demokracisë mbi ultra të djathtën dhe tre metodat e saj, mashtrimin masiv, përçarjen kombëtare dhe abuzimin, madje edhe të dhunshëm, të institucioneve demokratike", tha ai në një aktivitet publik. "Pesë vjet më parë, ne menduam se Trump-i ishte një shaka e keqe, por pesë vjet më vonë, e kuptuam se ai rrezikonte asgjë më pak sesa demokracinë më të fuqishme në botë".
Administrata e zotit Trump dhe udhëheqësit e BE-së u përplasën për disa çështje, përfshirë tregtinë ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike, një reflektim i pikëpamjeve thellësisht të ndryshme për botën.
Riafirmimi i lidhjeve të NATO-s
Ish-Presidenti Trump i qortoi evropianët që nuk kanë shpenzuar sa duhet në mbrojtjen e tyre, një çështje që ka të ngjarë të ngrihet nga administrata e Presidentit Biden, por ndoshta me finese diploatike. Disa herë, ish-Presidenti Trump e paraqiste Evropën si një armike dhe nganjëherë vinte në dyshim vlerat e NATO-s, një largim i qartë nga marrëdhëniet tradicionale transatlantike që nga Lufta e Dytë Botërore.
Stili luftarak i ish-Presidentit Trump, gjithashtu, ishte shumë i ndryshëm nga ai që evropianët kanë përjetuar nga udhëheqësit e tjerë amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shkruajti në Twitter urime për Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris, duke shtuar: "Sot është fillimi i një kapitulli të ri për Aleancën Transatlantike... Një NATO e fortë është mirë si për Amerikën e Veriut dhe për Evropën".
Zoti Biden shihet gjerësisht si presidenti amerikan më pro-NATO-s që nga ish-Presidenti George H.W. Bush.
Dy vjet më parë, në një konferencë sigurie në Mynih, udhëheqësit evropianë po e nxisnin zotin Biden të kandidonte. Pasi përjetuan një fjalim të ashpër të modelit "Amerika e Para" nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit Mike Pompeo, tensionet u qetësuan nga zoti Biden, kur ai u reagoi në fjalimin e tij duke thënë: “Edhe kjo do të kalojë. Ne do të rikthehemi”.
Hartuesit e politikave në të dy anët e Atlantikut thonë se ata janë tani të vendosur për të riparuar marrëdhëniet e dobësuara dhe për të konsoliduar demokracitë e shkatërruara nga trazira politike të brendshme të papreceden dhe të sfiduara nga fuqitë autoritare.
Azia reagon ndaj inaugurimit të Presidentit Biden
Forcimi i demokracisë, megjithatë, nuk ishte në mendjen e zëdhënëses së ministrisë së jashtme të Kinës, Hua Chunying, i cili tha në një konferencë shtypi të mërkurën se: "Në katër vitet e fundit, administrata amerikane ka bërë gabime thelbësore në perceptimin e saj strategjik të Kinës ... duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, duke shtypur dhe njollosur Kinën, dhe duke shkaktuar dëme serioze në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.
Ajo tha se udhëheqësit e Kinës shpresojnë që administrata Biden "do të takojë Kinën në gjysmë të rrugës dhe, në frymën e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë, do të shtyjë që marrëdhëniet Kinë-SHBA të kthehen në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur".
Gjithashtu, në Azi, rreth 100 mbështetës japonezë të ish-Presidentit Trump dolën në rrugët e Tokios të mërkurën, duke tundur flamuj amerikanë dhe japonezë dhe duke shpalosur parulla me pretendime të rreme se ai ishte "fituesi i vërtetë" i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar.
"Ne donim të tregonim se shumë njerëz në Japoni po mbështesin Presidentin Trump", i tha agjensisë së lajmeve Reuters organizatorja, Naota Kobayashi. "Ne të gjithë kënduam së bashku në mënyrë që zëri ynë të fluturojë mbi Oqeanin Paqësor dhe të arrijë në SHBA."
Presidenti iranian Hassan Rouhani u përqëndrua në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila ish-Presidenti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara, duke thënë se shpresonte që Presidenti Biden të rikthehej në pakt dhe të hiqte sanksionet amerikane të vendosura ndaj Iranit.
"Topi është në fushën amerikane tani. Nëse Uashingtoni rikthehet në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, ne gjithashtu do të respektojmë plotësisht angazhimet tona sipas kësaj marrëveshjeje”, tha Rouhani në një takim të kabinetit të transmetuar në televizion.
Lidhjet Amerikë - Rusi
Reagimi nga zyrtarët rusë ka qenë i heshtur. Përpara inaugurimit, udhëheqësi rus Vladimir Putin qëndroi i heshtur, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në një konferencë shtypi se ai nuk parashikon një ndryshim në marrëdhëniet amerikano-ruse.
“Asgjë nuk do të ndryshojë për Rusinë. Rusia do të vazhdojë të jetojë ashtu si ka jetuar për qindra vjet, duke kërkuar marrëdhënie të mira me Uashingtonin", u tha ai gazetarëve. "Nëse Uashingtoni ka vullnet reciprok politik për këtë, kjo do të varet nga zoti Biden dhe ekipi i tij".
Gazeta Izvestia e kontrolluar nga Kremlini vuri në dukje se, "perspektivat për marrëdhëniet Rusi-SHBA nën udhëheqësin e ri amerikan nuk inkurajojnë optimizmin deri më tani".
Por Mikhail Gorbaçov, udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, bëri thirrje që Moska dhe Uashingtoni të riparojnë lidhjet e acaruara.
"Gjendja aktuale e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është shqetësuese", tha zoti Gorbaçov për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS. “Por kjo gjithashtu do të thotë se duhet të bëhet diçka që të normalizohen marrëdhëniet. Ne nuk mund të izolohemi nga njëri-tjetri”.
Facebook Forum