Lidhje

Inaugurimet presidenciale ndër dekada


Më 20 janar, Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara. Në vazhdim, një historik i presidentëve dhe ceremonive të inaugurimit që për dekada me radhë është zhvilluar çdo katër vjet, zakonisht në janar.

Në 1937, Franklin D. Roosevelt u bë presidenti i parë që bënte betimin në janar. Ai po fillonte mandatin e dytë presidencial.

Më parë, inaugurimet zhvilloheshin në mars, për të lejuar kohë të mjaftueshme për numërimin e votave, nxjerrjen e rezultatit dhe për përgatitjet e nevojshme për tranzicion.

Me avancimet teknologjike, procesi u përshpejtua dhe u bënë ndryshimet kushtetuese që përcaktojnë se ceremonia zhvillohet në janar.

Franklin D. Roosevelt fitoi katër herë në zgjedhjet presidenciale dhe mbajti postin nga 1933-1945. Gjatë presidencës së tij dominuan ngjarje historike si Depresioni i Madh dhe Lufta II Botërore. Ai vdiq gjatë mandatit të katërt në 1945.

Pas tij erdhi Harry Truman, i cili mbajti detyrën deri në 1953. Gjatë mandatit të tij, Amerika përdori bombën atomike mbi Hiroshima.

Dwight Eisenhower, presidenti i 34-t amerikan, ishte në post deri në 1961. Ish-gjenerali i dekoruar kishte qenë më parë Komandanti i Lartë i Forcave Aleate gjatë Luftës II Botërore.

Republikani Eisenhower u pasua nga demokrati John F. Kennedy, presidenti më i ri i zgjedhur ndonjëherë. Ai u përball gjatë udhëheqjes së tij me Krizën e Raketave Kubane, një ballafaqim që thuajse shpërtheu në konflikt ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që mund të precipitonte në luftë bërthamore.

John Kennedy u vra në Dallas në 1963. Zëvendësi i tij, Lyndon B. Johnson u bë president dhe ishte në Shtëpinë e Bardhë deri në 1969. Pas demokratit Johnson erdhi republikani Richard Nixon. Në 1974 ai u bë presidenti i parë që jepte dorëheqjen si rezultat i përfshirjes në skandalin Watergate.

Zëvendësi i tij, Gerald Ford u bë presidenti i 38-të amerikan dhe gjatë mandatit të tij fali zotin Nixon për skandalin Watergate.

Zoti Ford humbi në zgjedhjet e 1976 përballë demokratit Jimmy Carter.

Zoti Carter nuk arriti të rizgjidhet por ai themeloi Qendrën Carter, një organizatë për të drejtat e njeriut për të cilën fitoi çmimin Nobel.

Ronald Reagan, presidenti i 40-të amerikan ishte në Shtëpinë e Bardhë nga 1981-1989. Ai u vu në shenjestër të një tentative për attentat në mars 1981. Pas tij u zgjodh zëvendësi i Presidentit Reagan, George H. W. Bush, gjatë presidencës së të cilit u zhvillua Lufta e Gjirit Persik. Zoti Bush nuk arriti të siguronte një mandat të dytë në zgjedhjet e 1992 të cilat i fitoi demokrati Bill Clinton.

Presidenti Clinton, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë nga 1993-2001, u ndesh me akuza për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë lidhur me një marrëdhënie jashtëmartesore me praktikanten Monica Lewinsky. Ai u lirua nga akuzat gjatë gjyqit në Senat në 1998.

George W. Bush, djali i ish-presidentit George Herbert W. Bush, bëri betimin në janar 2001, pas një procesi të debatueshëm në zgjedhje të forta përballë demokratit Al Gore.

Sulmet e 11 shtatorit në vitin e parë të presidencës së tij i dhanë tonin Luftës kundër Terrorizmit që filloi me ndërhyrjen në Afganistan në 2001 dhe vazhdoi me pushtimin e Irakut në 2003.

Në 2009, Barak Obama bëri betimin si presidenti i 44-t amerikan, i pari afrikano-amerikan që fitonte në postin më të fuqishëm në botë. Një ndër arritjet e tij më të mëdha ishte Ligji për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor që reformoi sistemin shëndetësor amerikan. Presidenti Obama gjithashtu negocioi një marrëveshje bërthamore me Iranin për të detyruar Teheranin të braktiste ambicjet bërthamore në shkëmbim të heqjes së sanksioneve. Kjo marrëveshje u anulua nga pasuesi i tij, Donald Trump, i cili e cilësoi si “traktatin më të keq ndonjëherë”.

Presidenti Trump bëri betimin në 2017. Ai humbi zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ndërkohë që vendi ishte i përfshirë nga pandemia e koronavirusit dhe trazira me thirrje për drejtësi racore.

Më 20 janar do të bëjë betimin presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

XS
SM
MD
LG