Lidhje

Dhuna në Kapitol, ligjvënësit diskutojnë mbi masat kundër Presidentit Trump


Ligjvënësit po debatojnë rreth çështjes nëse Kongresi duket të ngrejë për herë të dytë akuza për shkarkimin e Presidentit në largim Donald Trump, lidhur me dyshimet mbi rolin e tij në sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit, të mërkurën e kaluar. Debatet ndodhin ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë nga inaugurimi i Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 Janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë detaje.

Ndërsa vendi vazhdon të përballet me pasojat e një proteste të dhunshme nga mbështetësit e Presidentit Trump, zhvillime që lanë pas pesë të vdekur, ligjvënësit po debatojnë nëse do të kërkojnë sërish shkarkimin e zotit Trump, duke e akuzuar këtë herë për nxitje të turmës. Zoti Trump foli në një tubim përpara sulmit, duke i thënë turmës se zgjedhjet ishin vjedhur e duke u kërkuar pjesëmarrësve të marshonin drejt ndërtesës së Kapitolit. Të enjten, zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se zoti Trump e kishte dënuar dhunën.

Absolutisht besoj se ngritja e akuzave për shkarkim duhet të ndodhë për disa arsye. Përparësia jonë kryesore është të sigurojmë largimin e Donald Trump-it nga posti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Çdo minutë dhe çdo orë që ai është në detyrë përfaqëson një rrezik të qartë e të pashmangshëm, jo vetëm për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, por edhe për vendin", thotë Alexandria Ocasio-Cortez, ligjvënëse demokrate.

Por ekziston një problem lidhur me kohën në dispozicion të ligjvënësve. Zoti Trump pritet të lërë detyrën më 20 janar, me inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Disa ligjvënës republikanë i janë drejtuar me një letër zotit Biden, ku shprehin qëndrimin kundër ngritjes së akuzave për shkarkimin e zotit Trump. Ata thonë se ndjekja e këtij kursi, vetëm disa ditë para se zoti Trump të largohet nga detyra, është diçka "e panevojshme dhe provokuese". Ndërkohë ligjvënësit po diskutojnë edhe për mundësi të tjera.

Sinqerisht nuk mendoj se ngritja e akuzave është një lëvizje e zgjuar pasi mendoj se e viktimizon sërish Donald Trump-in. Mendoj se aktualisht ndodhemi në një moment kur Donald Trump-i duket vërtet keq. Ai nxiti turmën. Ishte një sulm i degës ekzekutive ndaj asaj legjislative, një nga ditët më të këqija në historinë amerikane”, thotë ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Diskutime ka pasur edhe për shkarkimin e presidentit përmes Amendamentit të 25 të Kushtetutës amerikane, në bazë të të cilit, presidenti mund të zëvendësohet nëse nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij. Arsyet përfshijnë vdekjen, shkarkimin nga detyra, dorëheqjen ose paaftësinë.

Në dhjetor të vitit 2019 ligjvënësit votuan pothuajse në linja partiake për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump, duke e akuzuar atë për abuzim me detyrën dhe pengim të punës së Kongresit. Zoti Trump u akuzua se kishte abuzuar me detyrën duke i bërë presion Ukrainës, për të nisur një hetim ndaj zotit Biden. Por Senati votoi kundër duke e liruar atë prej akuzave. Deri tani ndaj asnjë presidenti amerikan nuk janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin e tij.

XS
SM
MD
LG