Britania filloi bllokimin e saj të tretë për shkak të pandemisë së COVID-19 të martën, duke urdhëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa qeveria bën thirrje për një përpjekje të fundit mbarë kombëtare për të ndaluar virusin para se vaksinimi masiv të ndryshojë situatën.
Kryeministri Boris Johnson njoftoi një bllokim të ri mbarëkombëtar të hënën vonë, duke thënë se varianti i ri, shumë ngjitës i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Britani po përhapet aq shpejt, saqë Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë rrezikon të mbingarkohet brenda 21 ditësh.
Sipas rregullave të reja, shkollat do të mbyllen, njerëzit duhet të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur dhe të gjitha dyqanet, përveç atyre jo-thelbësore, do të mbyllen.
Ministria e Financave njoftoi një paketë të re financiare prej 6.2 miliardë dollarësh për të ndihmuar bizneset të mbajnë njerëzit në punë dhe të jenë në gjendje të mbijetojnë derisa masat të lehtësohen gradualisht, ndoshta nga mesi i shkurtit por ka të ngjarë edhe më vonë.
"Nuk mund të parashikojmë me siguri nëse do të jemi në gjendje t’i heqim kufizimet në mes të muajit shkurt, por do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'u siguruar që të vaksinohen sa më shumë njerëz që të jetë e mundur në mënyrë që të mund të fillojmë të heqim kufizimet. Mendoj se është e drejtë të thuhet se në fillim të marsit, duhet të jemi në gjendje të heqim disa nga këto kufizime, por jo domosdoshmërisht të gjitha", tha ministri i kabinetit Michael Gove.
Britania ka filluar ndërkohë përdorimin e dy vaksinave, njëra e krijuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe tjetra nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca. Më shumë se një milion njerëz kanë marrë tashmë dozën e parë.
Sipas shifrave zyrtare, që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 75,000 njerëz kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar brenda 28 ditëve nga testimi pozitiv për koronavirus.
Britania ka qenë ndër vendet e goditura më rëndë nga COVID-19, me numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë dhe një ekonomi që pësoi tkurrjen më të madhe të të gjitha vendeve të Grupit të Shtatëshes gjatë valës së parë të infeksioneve pranverën e kaluar.
Facebook Forum