Lidhje

Mbajta e demokratëve të bashkuar, sfida më e madhe për Joe Biden


Ligjvënësit republikanë nuk do të jenë të vetmit kritikë ndaj axhendës së Presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden, kur ai të bëjë betimin për të marrë detyrën në janar. Zoti Biden, i cili i përket krahut të qendrës në spektrin politik, do të përballet gjithashtu me sfida nga krahu progresiv i partisë së tij.

Megjithëse ende disa javë larg Shtëpisë së Bardhë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden po sfidohet tashmë nga demokratët progresivë, të cilët thonë se e ndihmuan të fitonte zgjedhjet.

"Ky do të jetë hapi ynë i ardhshëm: të sigurohemi që administrata e Biden-it të mbajë premtimin e saj, të mbajë premtimin e saj për të rinjtë, të mbajë premtimin e saj për Lëvizjen Black Lives Matter, të mbajë premtimin e saj për komunitetet dhe njerëzit e klasës punëtore në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez.

Progresistët përfaqësojnë krahun më majtas të partisë. Disa kandidatë progresivë konkuruan për postin e presidentit në fillim të këtij viti, duke kritikuar edhe partinë e tyre.

"Po merremi me të gjithë elitën politike, si atë republikane ashtu edhe atë demokrate", tha ish-kandidati për president, Senatori Bernie Sanders.

Kjo krijoi një debat të pakëndshëm në lidhje me vlerat e partisë që nuk ka përfunduar.

"Partia Demokrate është një parti progresive dhe idetë progresive janë ide popullore, edhe nëse ka shumë njerëz në këtë skenë që nuk duan ta thonë këtë", shprehej ish-kandidatja për presidente, Senatorja Elizabeth Warren.

Megjithatë, zoti Biden deklaroi se ai mundet ta plotësojë hendekun e krijuar në parti, duke u kujtuar votuesve historikun e tij si nënpresident.

"Rryma progresive po i realizon gjërat", shprehej zoti Biden.

Demokratët që humbën përballë tij thanë se ata kishin nxitur diskutimin e ideve progresive.

"Ne diskutojmë tani për ide për të cilat as nuk flisnim një vit më parë; për një taksë pasurie prej dy për qind dhe kujdes universal për fëmijët, gjëra që mund të bëhen realitet", tha Senatorja Warren.

Por demokratët nuk fituan në Kongres aq sa pritej në zgjedhjet e nëntorit - humbje për të cilat shumë të moderuar fajësojnë slloganet progresive.

"Po vëzhgohet imtësisht krahu progresiv dhe po shtrohen pyetje si ‘a është ky me të vërtetë drejtimi që duan të marrin amerikanët?’. Nëse shikoni faktin që demokratët nuk morën aq vende në Senat sa parashikohej, si dhe humbën vende në Dhomën e Përfaqësuesve, ekziston një bazë për argumentin se axhenda progresive nuk tërheq siç mendonin progresistët”, thotë Capri Cafaro nga Universiteti Amerikan.

Por zoti Biden është ende duke mbajtur parasysh progresistët ndërsa bën emërimet për kabinetin e tij të ardhshëm.

“Administrata e ardhshme e Biden-it është shumë strategjike dhe shumë e kujdesshme, duke ditur se duhet të sjellin me vete krahun progresiv të partisë. Dhe ata sigurisht që kanë vepruar kështu me disa nga emërimet e hershme në administratë", thotë Molly O’Rurke, nga Universiteti Amerikan.

Por edhe nëse zoti Biden bashkon forcat me progresistët për projektligje ambicioze si për ndryshimet klimatike, reformën në polici dhe kujdesin shëndetësor, ka pak shanse që ato të kalojnë në Kongres.

"Shanset janë aq të pakta, saqë mendoj se do të jetë shumë e vështirë dhe një barrë shumë e rëndë për progresistët të sigurojnë miratimin e ligjeve në Kongres për reforma të thella ", thotë zonja Cafaro.

Për shumë progresistë, presidenca e zotit Biden shihet si një tranzicion larg Presidentit Trump - me mundësitë më të mëdha për ndryshim ende përpara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG