Atmosfera e sezonit të festave në qytetin e Nju Jorkut kësaj radhe është ndryshe për shkak të pandemisë së koronavirusit. Megjithatë disa gjëra nuk ndryshojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva njofton për ndriçimin e pemës në Qendrën Rockefeller.
Këtë vit është e vështirë të shkosh në Rockefeller Plaza, qoftë edhe më këmbë, por kjo nuk ka ndaluar qindra njerëz të shkojnë të shohin nga afër pemën e Krishtlindjes.
Këtë vit ishin vendosur autobuzë që bllokonin pamjen. Këndet më të mira të shikimit ishin rezervuar për njerëzit që e shikonin ceremoninë virtualisht.
"Nga këtu lart unë mund ta shoh pemën!", thotë Anastasia, një banore e Nju Jorkut.
"A është e bukur?", e pyet gazetarja e Zërit të Amerikës.
"Po!", përgjigjet Anastasia.
"Unë mund të shoh pak përmes autobusëve!", thotë Kenneth, banor i Nju Jorkut.
Pema e zbukuruar ofron një pamje spektakolare për ceremoninë e ndriçimit.
Është tashmë shumë larg nga pamjet e para të pemës kur mbërriti në qytetin e Nju Jorkut - e deformuar dhe e zhveshur në njërën anë.
"Një pemë e përshtatshme për këtë vit", shkruanin njerëzit në Twitter. Por, në ditën e duhur, pema doli shumë e bukur.
Pasoi një shfaqje festive e dritave dhe vitrinat e dekoruara të dyqaneve shtuan edhe më shumë atmosferën e festave.
Si pasqyrim i një viti shumë të vështirë 2020, bulevardi Saks Fifth Avenue mori një përqasje ndryshe për vitrinat e tij të famshme luksoze. Në vend që të shfaqte sende të shtrenjta, si p.sh. bizhuteri, u ofruan skena të thjeshta dhe komode - pa ankth dhe pa pandemi.
“Pandemia është pak dëshpëruese, por unë po e shfrytëzoj për mirë. Është mjaft e trishtueshme… Unë jam infermiere, dhe duhet të jemi pozitivë. Do të bëhet më mirë!", thotë Dana, turiste.
“Kjo është e mrekullueshme! Duhet ta kemi patjetër. Me gjithçka që po ndodh, duhet të kemi pak Krishtlindje, pak pushime, pak gëzim. Dhe paqe. Të na mbajë të gjithëve të sigurtë!”, thotë Anida, banore e Nju Jorkut.
Dhe sapo pema u ndez, pak magji zbriti nëpër rrugët e ftohta të Nju Jorkut.
"Kishin vendosur autobuzët që t'i pengonin njerëzit të grumbulloheshin në rrugë, por gjithsesi kjo nuk i ndali njerëzit - veçanërisht banorët e Nju Jorkut dhe turistët me dëshirën për të parë këtë moment historik kur pema ndizet!", thotë Marc Apollo, banor i Nju Jorkut.
Është një traditë që filloi në 1931 kur punëtorët që ndërtonin Qendrën Rockefeller kursyen nga pagat e tyre për të blerë një pemë që ata e zbukuruan me kurora të bëra me dorë dhe me vargje boronicash.
Në ditët e sotshme, pema ka 50 mijë zbukurime të ndryshme dhe maja ndriçohet nga një yll kristali i firmës Swarovski. Në një vit tipik, 750'000 njerëz vijnë për të parë pemën Rockefeller çdo ditë. Por në vitin 2020, aksesi është i kufizuar në jo më shumë se katër persona në të njëjtën kohë, dhe secili mund të qëndrojë jo më shumë se pesë minuta. Ndoshta kaq mjafton për të marrë paksa frymën e pushimeve.
Facebook Forum