Përfaqësues të institucioneve kryesore të shtetit dhe politikës shqiptare vazhduan edhe sot reagimet për protestat, që përfshinë vendin pas vrasjes me armë zjarri të një 25-vjeçari në periferi të Tiranës.
Forcat kryesore politike po shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e ngjarjeve, ndërsa Presidenti Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për të ndryshim të madh, sepse të rinjtë po braktisin vendin, të dëshpëruar nga varfëria dhe paunësia.
Në Tiranë vazhdojnë reagimet politike nga institucionet shtetërore dhe partiake për protestat që kanë përfshirë vendin pas vrasjes së një të riu 25-vjeçar nga një patrullë policie në periferi të kryeqytetit.
Pas disa ditë protestash në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës, figurat kryesore të shtetit dhe politikës vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësit e këtyre ngjarjeve.
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje prindërve opozitarë që të mbajnë larg fëmijët e tyre nga tubimet e protestës.
Ai akuzoi dje presidentin dhe politikanë të opozitës si organizatorë dhe nxitës të këtyre tubimeve.
Policia ka ndaluar në fakt disa dhjetëra të mitur gjatë protestave, e gjithashtu drejtuesit e saj u kanë bërë thirrje familjarëve që të mbajnë larg fëmijët e tyre nga trazirat e dhunshme.
Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh e të fortë, dhe se kjo duhet të vijë nga të rinjtë.
Zoti Meta tha se sistemi demokratik është deformuar dhe po shtyp të rinjtë, të cilët po emigrojnë masivisht dhe Shqipëria po shpopullohet me shpejtësi prej keqqeverisjes dhe varfërisë që po sjell korrupsioni qeveritar.
Ai përmendi problemet e shumta me arsimin dhe papunësinë e të rinjve shqiptarë, të cilët emigrojnë sepse nuk dëgjohen, emigrojnë për të mbijetuar vet dhe familjen të detyruar nga keqqeverisja dhe pa dëshirën e tyre.
Për protestat e të rinjve ditët e fundit reagoi sot edhe Partia Demokratike e opozitës. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Gazment Bardhi, deklaroi se shkaktarët e revoltës së rinisë janë dhuna dhe arrogance e kryeministrit Edi Rama dhe servilët e tij, që janë shkëputur nga jeta e vërtetë e shqiptarëve.
Ai dënoi gjuhën e urrejtjes së qeverisë ndaj protestuesve dhe tha se qeveria po përpiqet më kot të fajësojë opozitën për dështimet, premtimet boshe dhe arrogancën e vet
Një varg protestash në Tiranë dhe qytete të tjera përfshinë vendin pasi një patrullë policore vrau me armë zjarri një të ri 25 vjecar në afërsi të banesës së tij.
Familjarët e tij pohuan se djali kishte dalë për të blerë një paketë cigare dhe faji i tij i vetëm ishte se nuk kishte maskë anti-covid dhe gjendej jashtë banesës pas mesnate, vrapoi për t’iu shmangur një gjobe 30 dollarëshe, megjithatë u vra afër hyrjes së shtëpisë.
Polici që vrau të riun 25-vjecar Klodian Rasha mesnatën e të hënës doli sot para gjykatës, ku u konfirmua masa e arrestit të tij me burg.
Përfaqësitë diplomatike të SHBA, BE dhe OSBE bëri thirrje për hetim të ngjarjes, gjakftohtësi në protesta dhe distancim nga dhuna gjatë tubimeve.
Facebook Forum