Avokatët e fushatës zgjedhore të Presidentin Donald Trump sinjalizuan të martën synimin për të vazhduar me padi ligjore deri në janar edhe pse të gjitha shtetet, përveç njërit, kanë çertifikuar tashmë rezultatin e zgjedhjeve, që nxjerrin zotin Biden fitues të garës.
Presidenti Trump tha se do të ndërhynte në një aktpadi të re të paraqitur në Gjykatën e Lartë nga prokurori konservator i Teksasit, Ken Paxton, i cili kërkon të përmbysë fitoren e zotit Biden në Xhorxhia, Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani.
17 shtete të tjera, ku Presidenti Trump rezultoi fitues, po ashtu shprehën mbështetje për padinë e ngritur nga zoti Paxton, e cila u paraqit të mërkurën.
Padia përfshin një numër pretendimesh lidhur me parregullsi në votim dhe në numërimin e votave në këto katër shtete, të cilat në shumicën e rasteve janë hedhur poshtë në gjykatat shtetërore e federale në shtetet individuale.
“Ka prova masive për mashtrime të përhapura në katër shtete ose më tepër, të përmendura në padinë në Teksas,” tha presidenti në Twitter. “Shihni regjistrimet dhe dëshmitë me shkrim!”
Zoti Paxton ka ngritur pretendimin se katër shtetet ndaj të cilëve ai ka paraqitur padi, e shfrytëzuan pandeminë si justifikim jo-kushtetues për të anashkaluar autoritetin e legjislaturave shtetërore për ndryshimin e ligjeve zgjedhore, “duke dobësuar integritetin e zgjedhjeve”.
Ai i kërkon gjykatës të zgjasë afatin përtej të hënës, kur Kolegji Elektoral pritet të votojë për fituesin. Gjykata e Lartë u ka dhënë shteteve të përmendura në padi afat deri të enjten t’u përgjigjen akuzave, por prokurorët e përgjithshëm të këtyre shteteve reaguan duke thënë se zoti Paxton gabohet në pretendimet e tij.
Prokurorët e përgjithshëm në katër shtetet, ndaj të cilave zoti Paxton ka ngritur padi, e quajtën veprimin një "marifet për publicitet", "cirk" dhe akt "vërtet të turpshëm".
Ligji përcakton që të 50 shtetet individualisht çertifikojnë rezultatet gjashtë ditë përpara votimit të Kolegjit Zgjedhor më 14 dhjetor, i cili zyrtarizon fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Vetëm shteti i Uiskonsinit nuk e përmbushi këtë afat për të çertifikuar rezultatin deri më 8 dhjetor, por mund ta bëjë këtë deri në fund të javës.
Tetë dhjetori është po ashtu data, kur të gjitha sfidat që lidhen me zgjedhjet në nivel shtetëror, të tilla si rishikimi apo rinumërimi i votave, supozohet të kenë përfunduar.
Zoti Biden pritet të fitojë 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, të njëjtin total me të cilin zoti Trump fitoi garën presidencaile më 2016, duke e quajtur atë një fitore "të madhe" ndaj demokrates Hillary Clinton. Më pas më 6 janar Kongresi do të rishikojë dhe çertifikojë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor, dy javë para inaugurimit të zotit Biden si presidenti i 46-të i vendit.
Por avokatët e fushatës së zotit Trump, Rudy Giuliani, i cili ndodhet i shtruar në spital me COVID-19 dhe Jenna Ellis, e cila gjithashtu ka rezultuar pozitive me koronavirus, përmes një deklarate u shprehën se "megjithatë, nuk është e pashembullt që garat zgjedhore të zgjasin përtej 8 dhjetorit".
Më tej ata shtojnë se "pavarësisht mediave që përpiqen të deklarojnë me dëshpërim se beteja mes zotit Trump dhe zotit Biden ka përfunduar, ne do të vazhdojmë të mbrojmë integritetin e zgjedhjeve derisa çdo votë ligjore të llogaritet në mënyrë të drejtë e të saktë".
Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen, apo të thotë nëse ka në plan të marrë pjesë në inaugurimin e zotit Biden më 20 janar.
Zoti Trump ka pretenduar vazhdimisht, por pa ofruar asnjë provë, se procesi i votimit dhe numërimi i votave u manipuluan. Avokatët e tij kanë humbur me dhjetëra padi në shtetet kyçe të betejës elektorale.
Zoti Trump është përpjekur gjithashtu të bindë ligjvënësit e disa shteteve që të injorojnë rezultatin e votimit e të zgjedhin anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në favor të tij, por asnjë nuk ka pranuar ta bëjë këtë.
Facebook Forum