Lidhje

Opozita bjelloruse, optimiste për ndryshime në 2021


Viti 2020 u shoqërua me skena të papara protestash në Bjellorusi, pasi udhëheqësi i vendit, Alexander Lukashenko rezultoi se kishte marrë 80% të votës në zgjedhje që shumë njerëz i konsideruan si të manipuluara. Protestat kanë vazhduar, ndërkohë që demonstruesit shpresojnë se në 2021 do të shohin largimin e zotit Lukashenko nga pushteti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina sjell detaje.

Për muaj me radhë, mijëra demonstrues kanë vazhduar protestat, duke dalë çdo fundjavë në rrugë me thirrjet për liri dhe demokraci në Bjellorusi, të ndeshur me shtypje të vazhdueshme policore.

Protestuesit nuk e kanë humbur shpresën megjithëse përpjekjet e tyre duken të paefektshme pasi Presidenti Lukashenko refuzon të largohet nga pushteti. Analistët thonë se ndoshta fundi i tij nuk do të vijë nga presioni i protestave, por nga një vendim i Kremlinit:

Mendoj se kur Presidenti Putin ta kuptojë se zoti Lukashenko ka humbur fuqinë udhëheqëse dhe se në Bjellorusi ka filluar vërtetë tranzicioni politik, synimi do të jetë jo më për ta ndalur tranzicionin, por për ta bërë sa më të menaxhueshëm,” thotë analisti Andrey Kortunov.

Presioni nga Moska u pa qartë pas vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Minsk, kur Lukashenko i tha medias shtetërore se do të largohej nga presidenca, pasi të miratohej kushtetuta e re.

Ndërmarrjet shtetërore bjelloruse punësojnë mijëra vetë dhe pjesa më e madhe e produkteve eksportohen në Rusi, gjë që i jep Moskës influencë mbi punët e brendshme të Bjellorusisë.

Përkrahësit e Lukashenkos shpresojnë se lidhjet e forta ekonomike mes dy vendeve do të shërbejnë për t’i dhënë fund krizës dhe për ta mbajtur në pushtet presidentin. Por kjo zgjon shqetësim mbi dobësimin e sovranitetit të Bjellorusisë.

“Në Rusi, kur është fjala tek sektori energjetik, flitet për integrimin në aspektin e diktatit të pikëpamjeve të tyre. Disa besojnë se Bjellorusia duhet thjesht të zbatojë kërkesat e Rusisë,” thotë analisti Petr Piatrouski, i cili përkrah Presidentin Lukashenko.

Fundi i 2020-ës e gjen Bjellorusinë ende të përfshirë nga protestat të ushqyera nga shpresa se viti 2021 do të sjellë një kushtetut të re dhe largimin e Lukashenkos, por pa rritur ndikimin e Rusisë në këtë vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG