Gjykatësi federal Stephanos Bibas nuk u rezervua kur nxori një opinion të fortë të shtunën në mbrëmje, duke hedhur poshtë përpjekjet e fundit të ekipit elektoral të presidentit për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Akuzat për padrejtësi janë serioze. Por thjesht fakti që flitet për zgjedhje të padrejta nuk do të thotë që zgjedhjet ishin realisht të padrejta,” shkruante Gjykatësi Bibas në opinionin me 21 faqe që shoqëronte vendimin e tij për të hedhur poshtë padinë e ekipit të presidentit për të penguar çertifikimin e rezultatit të votimeve në Pensilvani. “Akuzat kërkojnë pretendime specifike të mbështetura nga prova. Nuk na kanë sjellë asnjërën”.
Ky ishte një ndër shembujt e shumtë kur pretendimet pa prova të ngritura nga ekipi i presidentit u hodhën poshtë. Presidenti ka këmbëngulur se zgjedhjet, ku ai rezulton humbës përballë ish-nënpresidentit Joe Biden, u manipuluan dhe se pati miliona vota të paligjshme, ose vota që u skualifikuan pa të drejtë.
Prej një muaji që nga dita e zgjedhjeve, zoti Trump dhe aleatët e tij kanë paraqitur dhjetëra padi, kryesisht në gjykata shtetërore, por gjykatësit kanë dhënë vendime kundër ekipit të presidentit me përjashtim të një rasti pa ndikim madhor.
Zoti Bibas, 51-vjeç, dallon nga shumë gjykatës të tjerë. Ai u emërua nga Presidenti Trump në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Tretë, ku mbulon Pensilvaninë dhe dy shtete të tjera. Ish-anëtar i organizatës konservatore, Shoqata Federaliste, zoti Bibas u emërua në 2017, një ndër 53 gjykatës së shkallës së apelit që presidenti emëroi që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë, numri më i lartë i emërimeve në gjyqësor që nga Presidenti Jimmy Carter.
Zoti Bibas nuk është i vetmi gjykatës republikan i sistemit federal të drejtësisë që ka hedhur poshtë pretendimet për manipulime dhe parregullsi në masë. Steven Grimberg i distriktit verior të Xhorxhias si dhe gjykatës të tjerë të emëruar nga presidentë republikanë, kanë marrë vendime kundër presidentit.
Pavarësia e Gjyqësorit
Skeptikët, të cilët i shohin gjykatësit si politikanë të veshur me petkun e gjyqësorit, të cilët nxjerrin vendime me ngjyrim politik, mund ta kenë të vështirë ta gëlltisin idenë që një gjykatës i emëruar nga Presidenti Trump merr një vendim kundër pretendimeve të presidentit.
Por ky është një opinion i gabuar, thotë Joseph R. Grodin, ish-ndihmës gjykatës në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Megjithë përçarjet e thella politike e ideologjike në vend, “pavarësia e gjyqësorit është shëndoshë e mirë,” thotë ai në komente për Zërin e Amerikës.
Zoti Grodin thotë se pjesa më e madhe e gjykatësve thjesht ndjekin ligjin dhe marrin vendime bazuar në faktet e çështjes, prandaj ai nuk habitet që zoti Bibas dha vendim se padia pa prova e ngritur nga ekipi i presidentit, nuk qëndronte.
Jonathan Turley, profesor i së drejtës në Universitetin George Washington, vë në dukje se gjykatësit federalë janë në detyrë për gjithë jetën, në mënyrë që të jenë të paprekshëm nga ndikimi politik.
“Gjykatat federale gjatë katër viteve të fundit kanë funksionuar ashtu siç duhet të funksionojnë,” thotë ai. “Gjykatësit federalë, përfshirë ata që u emëruan nga Presidenti Trump, kanë marrë në mënyrë të përsëritur vendime kundër padive të presidentit lidhur me zgjedhjet. Ata kanë deklaruar se presidenti nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të justifikuar aktet që ai ka kërkuar”.
Gjykatësit e emëruar nga presidentë republikanë nuk kanë mbajtur gjithmonë anën e demokratëve lidhur me temën e zgjedhjeve gjatë ciklit zgjedhor të 2020, sidomos lidhur me votat me postë gjatë pandemisë, një koncept i kritikuar me forcë nga presidenti dhe republikanët si i hapur ndaj manipulimeve.
Në muajt para zgjedhjeve, ndërkohë që një numër gjykatash federale mbështetën vendimet e shteteve individuale për votimet me postë, gjykatësit e apelit, të emëruar nga Presidenti Trump, shpesh hodhën votën vendimtare për t’i bllokuar përpjekjet, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Kentakit, Josh Douglas.
Justin Levitt, ish zyrtar i Departamentit të Drejtësisë thotë se megjithëqë emërimet e presidentit e kanë bërë gjyqësorin më konservator, gjykatat vazhdojnë të veprojnë në përputhje me funksionin e tyre origjinal.
“Kjo nuk ka ndryshuar pas zgjedhjeve dhe nuk ka arsye të mendojmë se do të ndryshojë,” thotë zoti Levitt.
Zoti Levitt thotë se gjykatat u kanë ofruar presidentit dhe republikanëve të tjerë që kanë paraqitur padi, mundësi të mjaftueshme për të ofruar prova për manipulimin e zgjedhjeve.
"Në çdo etapë, ata që ngritën padi nuk ofruan prova të vlefshme që ka ndodhur diçka e parregullt,” tha zoti Levitt në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Gjykatësi Bibas, kur ofroi opinionin e tij në emër të Qarkut të Tretë, iu përgjigj një padie madhore nga ekipi elektoral i Presidentit Trump, e paraqitur dy ditë pasi zoti Biden u shpall fitues i zgjedhjeve, kur Pensilvania u deklarua e fituar nga pretendenti demokrat.
Padia kërkonte nga gjykata federale të mos lejonin autoritetet në Pensilvani të çertifikonin rezultatin, duke ngritur pretendimin se ky shtet kishte krijuar “sistem të paligjshëm zgjedhor: me zgjerimin e madh të votimeve me postë”.
Pas vendimit në Pensilvani, avokati i presidentit, Rudy Giuliani dhe këshilltarja ligjore e presidentit, Jenna Ellis, nxorën një deklaratë lidhur me vendimin e gjykatës.
“Makineria aktiviste gjyqësore në Pensilvani vazhdon të mbulojë akuzat për mashtrime masive. Jemi mirënjohës që patëm mundësi të ofrojmë prova dhe fakte para legjislaturës së Pensilvanisë. Tani do të dalim para Gjykatës së Lartë!” shkruanin ata.
Megjithë pretendimet që ngriti, zoti Giuliani nuk ofroi prova dhe pohoi në gjykatë më 18 nëntor se “nuk është çështje lidhur me mashtrime”. Tre ditë më pas, Gjykatësi Matthew W. Brann i Distriktit të Mesëm të Pensilvanisë, një republikan i emëruar nga ish-presidenti Obama, e hodhi poshtë padinë duke thënë se nuk kishte meritë dhe ishte plot “akuza spekulative”.
Në Xhorxhia, një tjetër shtet ku presidenti i humbi zgjedhjet, gjykatësi i emëruar nga Presidenti Trump në 2019, hodhi poshtë padinë e ekipit të presidentit për të ndalur çertifikimin e rezultatit.
Gjykata e Lartë
Presidenti do që çështja e tij të merret në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që kjo gjykatë të merret me një çështje që është hedhur poshtë nga gjykata të shkallës më të ulët në mënyrë më të përsëritur.
Jonathan Turley i Universitetit George Washington thotë se republikanët kanë ngritur shqetësime legjitime lidhur me parregullsi në zgjedhje, por shton se “retorika e pamatur” e zotit Trump për manipulime ka minuar shanset e tij në gjykatën më të lartë të vendit.
“Nuk mund të imagjinoj një metodë më të dëmshme kur kërkon mbështetje për çështjen tënde nga Gjykata e Lartë,” thotë zoti Turley.
Edhe nëse Gjykata e Lartë vendos ta marrë në shqyrtim këtë çështje, nuk ka asnjë garanci që do të marrë vendim në favor të presidentit. Zoti Turley vë në dukje se dy nga tre gjykatësit që ka emëruar presidenti në Gjykatën e Lartë -- Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh — kanë votuar kundër presidentit dhe administratës në disa tema të rëndësishme.
Ndërkohë që ekipi elektoral i presidentit vazhdon të regjistrojë humbje në sistemin gjyqësor, presidenti duket se po e pranon faktin që nuk do të ketë fat më të mirë në Gjykatën e Lartë.
Facebook Forum